
TIRANË- Kryetari i 'Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut', Vangjel Dule ka folur për mediat, fill pas vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. GJKKO rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, vendim për të cilin Dule tha se është e orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, kryeministri ka interesa që të mbajë në punë Jorgo Goron si kryetar bashkie.
PJESË NGA PRONONCIMI:
Dule: Me të drejtën e sovranit dhe kryetar bashkie nuk kanë sepse nuk i intereson zotit Rama.
Po deklaratat tuaja nuk janë ndërhyrje në drejtësi?
Dule: Rama do të mbajë në krye të bashkisë së Himarës një kryetar që nuk e kanë zgjedhur qytetarët me qëllim që të vazhdojë aferat korruptive që kanë qëllim tjetërsimit e statusit pasuror. Kjo nuk është një ndërhyrje në punët e drejtësisë por një mendim që mund të shprehim për një vendim. Ndërhyrje në drejtësi është ajo që dëgjuat në intervistën e kryeministrit Rama. Jo, referuar pyetjes tuaj kjo nuk është një ndërhyrje në punët e drejtësisë, është një mendim që çdo qytetar ka të drejtë të shprehi.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar sërish kërkesën e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri. Dhe seanca e sotme u zhvillua me debate mes Belerit dhe trupit gjykues të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Beleri kërkoi sërish të lirohet për të bërë betimin, pasi sipas tij rrefuzimi i kësaj kërkese është antigjore. Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, pasi pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit. Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri./ZËRI