
DURRËS- Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kreu i qeverisë Edi Rama ka kritikuar vendimin e organeve të drejtësisë për vënien nën sekuestro preventive të planit të investimit për portin e Limianit në Sarandë. Ai e ka quajtur këtë vendim një arbitraritet të hapur që mund t’i kushtonte shumë shtetit shqiptar në rast se investitorët do të ishin cinik ta çonin në arbitrazh.
“Absurdi arrin deri në pikën ku merret penge me sekuestro preventive në emër të NATO-s, një investim me rëndësi strategjike prej 200 milionë eurosh në Limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për marinë turistike. Prej dy a tre vjetësh, rri i bllokuar se hetohet mënyra si është lidhur kontrata. Unë nuk dua të komentoj arsyet e atij hetimi por ama nuk duhet një diplomë në juridik, për të kuptuar se të hetosh marrëveshjen e shtetit me sipërmarrjen private, ta bllokosh investimin dhe këtë ta bësh në emër të NATO-s dhe sigurisë kombëtare duke bërë NATO-n të qeshë dhe të ndërhysh në kompetencën e një pushteti të pavarur që është sovran për sigurinë kombëtare. Ky është arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte qimet e kokës shtetit shqiptar në rast se investitorët do të ishin cinik ta çonin në arbitrazh. Kjo buron nga një arbitraritet që lidhet me mendësinë e një hetuesi”, tha Rama.