
TIRANË- Panorama në oborrin e Partisë Demokratike të kujton mbërritjen e yjeve për premierën e një filmi holluvudian, por jemi as më shumë e as më pak se në oborrin e selisë së Partisë Demokratike. Në Opozitë që prej vitit 2013, edhe pse të përçarë e të ribashkuar kaq shumë herë, këta deputetë nuk janë zhveshur nga komoditetet dhe luksi që të ofron politika.
Shpesh herë i kemi parë të flasin për rritjen e çmimeve të karburanteve, por duket qartë se në portofolin e të votëbesuarve nuk është cënuar asnjë qindarkë.
Nga vëzhgimi i ZËRI-t vëmë re se deputetët demokratët janë të ndarë edhe për shijet që kanë përsa u përket veturave. Edhe pse mbizotëron marka “Mercedes Benz”, e zgjedhur nga Luan Baçi, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi e Besart Xhaferri, nuk mungojnë mjetet sportive siç janë “Range Rover”. Ludovik Hasani e ka preferuar ngjyrë të bardhë, ndërsa Ervin Salianji ka qëndruar tek e zeza.
Apo edhe ato elektrike, të cilat janë zgjedhur nga deputetja Elda Hoti dhe Luçiano Boçi, që siç duket kanë menduar dhe për mjedisin.
Të gjitha janë vetura me komoditet dhe me kubaturë motorike të madhe, që nënkupton se janë edhe të kushtueshme. Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë Flamur Noka mbërrin me një “Toyota” tip Land Cruiser, ndërsa Volksëagenit ia kanë besuar sigurinë Fatmir Mediu dhe Qani Xhafa. Agron Gjekmarkaj dhe Asllan Dogjani lëvizin me “Audi”, ndërsa më të veçantët duket se janë Ramadan Lika dhe Dhurata Çupi.
I zgjedhuri nga Malësia e Madhe qarkullon me një “BMW” X5, ndërsa Çupi me një mjet tip “Skoda”. Ish-kryebashkiaku i Shkodrës ka preferuar të na kthëjë shumë vite pas me mjetin e tij Retro, të markës “Mercedes Benz”. Një makinë e rrallë dhe e kushtueshme në ditët e sotme.
Zyrtarisht i gëzohen pagën prej 310 mijë lekësh, por çdo muaj marrin dhe rmbursin për qira banese, përmendim këtu Greta Bardelin dhe Ferdinant Xhaferraj, dieta për udhëtimet brenda e jashtë vendit, rimbursim për faturë hoteli, një prej të cilave që e ka përfituar është edhe Ina Zhupa që ka kërkuar 15 mijë lekë, rimbursim për shpenzime telefonie dhe për karburant.
Nuk duhet harruar edhe fakti që aksioni opozitar dhe mungesa në mbledhjen e komisioneve, iu ka kushtuar shtrenjtë deputetëve të opozitës, të cilëve iu janë mbajtur para nga rroga e tyre.
Në muajt Tetor dhe Nëntor të vitit të kaluar, kohë në të cilën nisi dhe radikalizimi i opozitës, deputetët e grupeve opozitare kanë dhe uljen më të ndjeshme të pagave të tyre. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Kuvendi, deputeti më i penalizuar për këto dy muaj rezulton të jetë Enkelejd Alibeaj, për shkak të mungesave të shumta në seancë. Gjatë muajit tetor, në llogarinë e tij kanë kaluar 82 mijë lekë më pak ndërsa në muajin nëntor, i janë hequr nga paga rreth 92 mijë lekë. Pas tij renditet deputetja Orjela Nebiaj, ku në periudhën tetor-nëntor Nebiajt i janë mbajtur 150 mijë lekë.
Ndërkohë që edhe Gazment Bardhi nuk rezulton të jetë më pak i ndëshkuar. Gjatë dy muajve atij i është hequr një shumë prej rreth 80 mijë lekësh të rinj, ndërsa i dyti në listë rezulton të jetë deputeti Luan Baçi, të cilit i janë mbajtur rreth 72 mijë lekë.
Por, pavarësisht penalizimeve, blutë e kryedemokratit Berisha duket se kaliten shpejt dhe nuk e ulin standartin e jetës, duke garuar denjësisht anëtarët e maxhorancës që janë në krye të porteve qeverisëse prej 11 vitesh tashmë. A është kjo Opozita e qytetarëve?