Politikë

“Shqipëria është dolce vita”, Rama: Të mësojmë nga gabimet që kemi bërë me turizmin

Rama: Deri përpara 3 dekadash ne kemi pasur vetëm 5 mijë turistë dhe jo të zakonshëm, por marksist- leninist, që vinin nga partitë e majta në të gjithë botën

E.K
“Shqipëria është dolce vita”, Rama: Të
Edi Rama

TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama, ka folur në takimin e 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, që po mbahet për herë të parë në Tiranë. Sipas Ramës kjo është një ngjarje historike që vjen në kohën e duhur në vendin tonë, kur impakti i turizmit po transformon në mënyrë të pabesueshme ekonominë dhe përfaqësimin e Shqipërisë në botë

Kreu i qeverisë u shpreh se vendi ynë është tek “dolce vita”, për shkak se ndodhet mes italianëve dhe grekëve, duke shtuar se “të jesh mes tyre do të thotë të jesh tek jeta e shkujdesur ndaj bën edhe gabime”. Kryeministri foli dhe për transformimin që ka pësuar Shqipëria në 30 vitet e fundit, nga periudha e komunizmit.

“Nuk duam të humbasim vendin tonë ndërkohë që ndërtojmë një destinacion të rëndësishëm turistik. Ne i dimë gabimet që janë bërë në vende të tjera. Nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime, por të nxjerrim mësime. Ne tashmë i kemi bërë disa gabime tonat, të mos harrojmë që jetojmë mes grekëve dhe italianëve.

Të jesh mes tyre do të thotë të jesh tek dolce vita, tek jeta e shkujdesur dhe ti bën edhe gabim. Sepse nga njëra anë se ke kuptuar tërësisht bekimin e perëndisë që ka krijuar këtë vend të mrekullueshëm, por edhe historia ka qenë bujare. Ne kemi vende të mahnitshme historike. Por megjithatë, ne nuk jemi Zvicër, dhe ndoshta është më mirë, por duhet të kemi të njëjtën mënyrë të kuptuari siç kanë ata, për të mos prishur bukuritë e vendit, por t’ia lëmë brezave të ardhshëm më të mirë.

Gjithçka këtu më duket bukur, ky vend është i mrekullueshueshëm, për të bërë një takim. Por njerëzit duhet të dalin pak nga salla nëse konferenca duhet të mbaronte në mes të natës dhe njerëzit të mos kishin mundësi për të gëzuar gjithçka që ofron moti i mrekullueshëm që kemi.

Keni shtuar numrin e turistave duke ardhur në Shqipëri, jeni të domosdoshëm për ne.

Ju nuk keni nevojë të kaloni tek berberi me detyrim por vetëm në rast se dëshironi, por natyrisht lini flokët sa më të gjata që dëshironi, nuk kemi paragjykime për asgjë. Jemi krenar që jemi pjesë e komunitetit tuaj dhe shpresoj të jemi anëtar me dinjitet të plotë.

Shpresojmë që me anën e turizmit të kuptojmë akoma edhe më shumë jo vetëm rëndësinë që ka turizmi për ekonominë, por edhe ndjesinë e humanitetit që i ofrojmë njëri-tjetrit”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Kryeministri foli dhe për vitet e komunizmit, ku kishte vetëm 5 mijë turistë në të gjithë vitin.

“Unë do t’ju them disa fjalë për këtë vend, që në këto vite jetë tonat, e kam fjalën për mua dhe Mirelën, ne kemi njohur periudhë të historisë në të cilën kemi qenë tërësisht të ndarë dhe të izoluar nga ju që keni nga Perëndimi, por edhe nga ju nga Lindja. Ju që vini nga Lindja mund ta kuptoni më mirë. Ajo që kemi kaluar është përtej imagjinatës.

Deri përpara 3 dekadash ne kemi pasur vetëm 5 mijë turistë dhe jo të zakonshëm, por marksist- leninist, që vinin nga partitë e majta në të gjithë botën. Ata kalonin doganën në aeroportin e Rinasit dhe menjëherë duhet të kalonin te berberi, nëse kishin mjekër apo flokë të gjatë sepse nuk lejoheshin. Mendoni sa i thellë ka qenë izolimi. Ndërkohë sot kemi një realitet ndryshe, me më shumë se 10 milion turistë vitin e kaluar dhe me shifra shumë të larta këtë vit.

Ju të gjithë e dini që ky nuk është vetëm suksese, por edhe sfidë e madhe, sepse ka shumë gjëra për të cilat në duhet të mendojmë dhe t’i zgjidhim nëse duam që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe nëse duam që Shqipëria të jetë një destinacion ku turizmi të jetë një vlerë e shtuar dhe një vend me anë të të cilit ne krijojmë hapësirën për të kremtuar humanitetin që ne kemi. Ne duhet të ruajmë natyrën dhe të ndërtojmë gjëra të ndërthurura me natyrën”, tha Rama.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB