
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka komentuar emrat në listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë. Në një prononcim për emisionin "Opinion", Flamur Noka u pyet se mbi cilat kritere është hartuar lista dhe ndërtuar koalicioni, ndaj edhe demokrati zbuloi se demokratët ishin konsultuar edhe me drejtuesin e fushatës Chris LaCivita. Pas konsultimeve me të, Noka tha se kishin dalë në vendimin se alternativa më i mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ishte përfshirja e një koalicioni sa më të gjerë.
“Koalicioni për Shqipërinë Madhështore ka dashur kohë, mund dhe sakrificë për t’u ndërtuar. Kur ndërton një koalicion do konsiderosh peshën e çdonjëerit prej aleatëve dhe do shpërblesh çdonjërin prej aleatëve sipas prurjes dhe peshës që ka. Ne bëmë këtë përpjekje për të ndërtuar koalicionin që do çonte opozitën drejt fitores. Ky është koalicioni më i madh që ndonjëherë në histori ka patur një forcë politike dhe rreth vetes dhe kjo ka krijuar edhe frymë. Çdo parti ka simpatizantët e vetë. Ne i kemi testuar ndër vite këta aleatë. Po të vijë çështja te xhaketat, çdokush prej personaliteve në këtë listë është qindra herë më dinjitoz se tufa e hajdutëve, e krimit të organizuar që është përballë në kampin e narkorilindjes. Është diskutuar kjo gjë dhe me stategun e fushatës tonë, Chris LaCivita, dhe konkluzioni ynë ka qenë ky: një koalicion sa më i gjerë për një fitore të sigurt. Kemi konsideruar që sa më shumë flukse të mbledhim, çdo gjë duhet të bëjmë për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe që quhet Rilindje,”- u shpreh Flamur Noka.
Noka tha se PD ka hartuar një listë fituese, por sipas tij, disa prej figurave të PD mbetën jashtë listës së mbyllur edhe për shkak të vendeve që u lanë për aleatët. Megjithatë, për të Primaret ishin "shtylla" e marrjes së vendimit për listimin e kandidatëve.
“Ne bëmë gjithë këtë përpjeke për të ndërtuar këtë koalicion që do të çonte opozitën drejt fitores. Ky është koalicioni më i madh që ka ndërtuar ndonjëherë PD. Ne i kemi testuar ndër vite këta aleatë. Rama nga paniku i humbjes së zgjedhjeve, zhduku koalicionet. Një gjë ju them me siguri, po të vijë çështja te xhaketat çdo kush që është pjesë e PD është qindra herë më dinjitoz se sa ata të rilindjes. Janë vlera të shtuara në krahasim me batakun e rilindjes. Kemi konsideruar që sa më shumë flukse të mbledhim për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe që quhet rilindje. Primaret kanë qenë një nga shtyllat kryesore në të cilën është bazuar përzgjedhja e kandidatëve. Mund t’ju them që nga 140 kandidatë për deputet, 11 prej tyre janë të dalë nga primaret. në rastin e Tiranës, ka nj vendim të këshillit Kombëtar që emëron drejtuesit politik të qarqeve dhe drejtuesit e fushatës kombëtare. Ky ekip është i emëruar ekipi drejtuesve politik. Nuk ka asnjë humbje PD nga përpilimi i listave është thjeshtë një detyrim jo i vetëm i joni, por dhe me aletët që ka pamundësuar për të qenë disa prej deputetëve në lista të mbyllura. Idrizi, kryetar i PDIU, është ai që ka ardhur dhe i është bashkangjitur PD. Ai është distancuar pas 2021 nga lidershipi i PD të asaj kohe. Idrizi dhe Doda nuk kanë votuar asnjë vendim apo projektligj në favor të Ramës. Jemi përballë situatës, ose të bashkohemi të gjithë të mundim Ramën, ose Shqipëria është në rrezik,”-tha Noka.
Në koalicionin e Partisë Demokratike bëjnë pjesë 25 forca politike./ZËRI