
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar një seancë dëgjimore me kreun e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi. Gjatë mbledhjes që po zhvillohet në Komisionin e Ligjeve, Bardhi ka folur në lidhje me testimin dhe problematikën që ndodhi pak ditë më parë, e kërkoi që Rakipi të paraqitej në Kuvend për të mësuar se çfarë ka ndodhur.
"Nuk mund të bëjmë sikur nuk e kemi parë atë që ka ndodh në konkursin e Shkollës së Magjistraturës. Kemi parë në media që lista e fituesve është shtuar 3 herë. Ne si komision do duhet të thërrasim në pyetje Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës. Nëpërmjet këtij Komisioni të informohet edhe opinioni publik. Të kuptohet se çfarë ka ndodhur me shkollën e Magjistraturës. Është hera e parë që ky proces vishet me hije skandali. Nga 70 fitues që u zgjuan në mëngjes, shkoi në 140 në darkë. Të jem i sinqertë e kam lexuar reagimin e Shkollës së Magjistraturës. Nuk kuptohet pse ditën e parë ishin 70, në darkë u bënë 120 dhe të nesërmen 140 fitues. Ju keni publike listën e patronazhistëve. 13 persona që kanë fituar janë në listën e patronazhistëve të PS. Nuk dua t'i paragjykoj. Fakti që është patronazhist nuk do të thotë të mos bëjë karrierë. Por duhet transparencë. Të mësojmë se çfarë ka ndodhur,"- tha Bardhi në Komisionin e Ligjeve.
Pas fjalës së Bardhit, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit socialist, Pandeli Majko, i cili kërkoi që çështja të mos politizohej.
"Shkolla e magjistraturës nuk varet nga Parlamenti. Ka institucione të tjera të strukturës së drejtësisë. E kuptoj shqetësimin por mos e politizoni për patronazhistë se është qesharake. Është një sistem që nuk varet nga ne. Edhe të duam ne ta kontrollojmë nuk e kontrollojmë dot. Është ndërtuar në një mënyrë të tillë që nuk kontrollohet nga PS. Duke vlerësuar shqetësimin që keni, mendoj se situata nuk mund të politizohet. Thirrja e drejtorit të Magjistraturës është e tepërt dhe e paligjshme,"-shtoi socialisti.
Rivlerësimi i tezave u bë pasi gabimisht pajisja ‘’Scantron’’ kishte llogaritur pikët maksimale 96 dhe jo 100 dhe kjo kishte sjellë ankimin e kandidatëve që nuk ishin shpallur fitues. Shkolla e Magjistraturës deklaron se do të marrin një tjetër pajisje “Scantron”, e cila do të bëjë ri-vlerësimin nga e para, por kjo lëvizje do e kthejë procesin në pikën zero dhe ngre shumë pikëpyetje./ZËRI