
TIRANË- Ministrja e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka folur në lidhje me rastin e transportit të mbetjeve toksike me dy anije që destinacion kishin Tajlandën. Në një intervistë të dhënë për emisionin ‘Kjo Javë’, Kumbaro u shpreh se fakti që janë mbetje të rrezikshme, nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë toksike. Gjithashtu, shtoi se ende nuk ka dijeni për llojin e mbetjeve që kanë vërtetë konteinerët brenda, pasi të gjitha të dhënat e deritanishme janë publikuar nga mediat.
Ndër të tjera, për rastin e kompanisë "Sokolaj", ministrja tha se ka marrë licencën në vitin 2022.
"Duhet të presim me durim rezultatin e organeve inspektuese dhe hetimore, për të mbërritur në një konkluzion përfundimtar çfarë ka në kontejnerë dhe çfarë hapash duhet të ndiqen. Të rrezikshme nuk do të thotë automatikisht toksike. Mbetjet e rrezikshme mund të jenë si p.sh. ato të çelikut, magazinohen, grumbullohen, rikuperohen, përpunohen, asgjësohen dhe mund të eksportohen. E rëndësishme është të bëhen sipas lejes mjedisore. Kompania Sokolaj e ka marrë licencën në 2022 sipas ligjit. Fakti që merrni një licencë nuk ju bën automatikisht të ligjshëm, sepse duhet pajisur me një kod unik për tu bërë u gjurmueshëm. Subjekti në fjalë nuk e ka bërë dhe kjo nuk mjafton për të eksportuar mbetje. Eksporti është aktivitet i ligjshëm, por duhet kodi unik dhe një dosje komplekse me të dhëna përfshirë dhe analizën e mallit. Autorizime të tilla japim disa herë në vit, sepse tregu i shit-blerjes së mbetje është si një bursë ndërkombëtare. Që në momentin e parë që kemi indicie, kemi ngritur një grup pune dhe jemi në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit duke i vënë në dispozicion të gjitha informacionet. Në fund të procesit, organi i drejtësisë do të vendosë. Flitet për mbetje por nuk e dimë se çfarë kanë kontejnerët. Duhet të presim me durim rezultatin e organeve inspektuese dhe hetimore, për të mbërritur në një konkluzion përfundimtar çfarë ka në kontejnerë dhe çfarë hapash duhet të ndiqen,”- tha Kumbaro.
Mbetjet toksike të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare bashkë me Olaf, thuhet se u nisën nga impianti 'Kurum' pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike më pas i ka shitur tek kompania 'Sokolaj'. Më pas, 'Sokolaj' ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024. Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga "Kurum-i" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI