
TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur për atmosferën zgjedhore dhe gjithë procesin, kur vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e votimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjatë një interviste për emisionin “Kjo Javë”, Celibashi u shpreh se është i kënaqur me mbarëvajtjen e fushatës, duke i vënë theksin bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë. Në fjalën e tij, ai u shpreh se gjatë 30 ditëve fushatë janë regjistruar 35 procedime penale për deformim të votës.
Celibashi: Iniciativë e cila mund ta them pa hezitim që ka prodhuar efektin që ne donim. Ndoshta me siguri mendon krejt ndryshe, por jam i bindur që qoftë edhe afirmimi publik i angazhimit të katër institucioneve për të adresuar shpejt problematikat zgjedhore e ka dhënë impaktin e vet. Nuk kemi raste masive të shkeljeve apo veprave në fushën e zgjedhjeve. Besoj ka qenë një kontribut pozitiv për integritetin e procesit. Nëse flasim për rezultate, ka disa raste ndalimesh apo arrestimesh. KQZ u është përgjigjur në kohë rekord çdo kërkese të strukturave për dokumentacion për prova që sipas tyre janë të nevojshme për procedime të caktuara penale. Deri më sot bashkëpunimi ka qenë konkret, ka ardhur si rrjedhojë e vetë institucioneve që janë palë në bashkëpunim, nuk ka qenë i imponuar nga faktorë vendas apo ndërkombëtarë dhe mendoj se është reflektim i pjekurisë institucionale të këtyre institucioneve për të reaguar dhe vepruar si duhet të veprojnë. Jemi në komunikim të përditshëm me këto struktura. Do të vazhdojnë ta shohin me skepticizëm këtë bashkëpunim, ka paragjykime për të gjithë institucionet dhe ne si individë, por është e vështirë t’u thuash njerëzve ta bazojnë gjykimin në fakte. Disave thuaji çfarë të duash dhe do vazhdojnë ta mendojnë si duan, pa predispozitën dhe dëshirën për të qenë realistë. Për fat këta janë pakica sepse ajo që konstatojmë, shumica e qytetarëve shqiptarë dhe shumica e faktorit politik dhe atij jo politik e shohin që gjërat po funksionojnë. Me siguri dikush pret edhe më shumë, apo e quan të realizuar nëse ka nja 200 veta në burg, por nëse nuk ka për të dënuar, nuk ka.
Në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale, Celibashi tha se nuk janë konstatuar raste flagrante. Sa i përket rezultateve të votimit, kryekomisioneri Celibashi tha se rezultat e para nga numërimi i votave në vend mund të dalin pasditen e së martës.
"Besoj se e marta pasdite do të na gjejë me të dhëna të plota për votimin brenda vendit. Po shikojmë se çfarë do të përmirësojmë nga pikëpamja infrastrukturore organizative që edhe për votimin nga jashtë që ky rezultat të jetë publik brenda këtij afati,"-shtoi kreu i KQZ./ZËRI