TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot për seancën plenare, në orën 10:00, e cila do të nisë me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, i vrarë mesditën e së hënës në sallën e gjyqit. Në seancën e sotme parashikohet në rend dite të shqyrtohet raporti i veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2024. Ndërkohë, para fillimit të seancës, në orën 09:30, do të mbahet Konferenca e Kryetarëve, ku do të përcaktohet koha dhe mënyra e zhvillimit të debatit për raportimet e institucioneve.
Drejtuesi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Gentian Sala, do të hapë seancën plenare ku do të prezantojë raportin për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2024, me një kohëzgjatje prej 20 minutash. Më pas do të lexohen dhe votohet projektrezoluta e përgatitur nga Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, së bashku me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Gjithashtu, komisioneri Besnik Dervishi do të prezantojnë raportin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) për vitin 2024. Kuvendi më pas do të shqyrtojë raportin e veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për vitin 2024. Petrit Ahmeti, kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), do të raportojë për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar. Pritet të shpaloset edhe raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit (ERRU) nga Kryetarja e Komisionit Rregullator, Gerta Lubonja.
Në seancën e kaluar të datës 29 shtator, demokratët kërkuan sërish zhvillimin e një debati në Kuvend për programin qeverisës, ndërsa deputetët e rinj të mazhorancës në Kuvend, kritikuan sjelljen e opozitës./ZËRI