
TIRANË- Përfundon mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Kreu i grupit parlamentar, Bledi Çuçi ka mbledhur sot kolegët e tij socialistë, pasi sot në orën 17.00, nis sesioni i ri parlamentar. ZËRI ka zbardhur detaje nga mbledhja mes tyre, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Në mbledhjen e sotme, kreu i grupit, Çuçi ka kërkuar prej kolegëve rritje cilësore të debateve mes maxhorancës dhe opozitës, më pas është ndalur në probleme konkrete.
Çuçi tha se ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit synojnë të disiplinojnë mbarëvajtjen e seancave teksa ka kërkuar nga deputetët e PS prezencë nëpër seanca për të mos cënuar kuorumin dhe votimet e ligjeve. Më tej, kreu i grupit kërkoi edhe pjesëmarrje aktive të deputetëve.
"Për këtë sesion dua sidomos edhe qasjen që duhet të ketë grupi ynë në lidhje me integrimin. Në kushtet kur kemi një axhendë europiane tashmë, fokusi nuk është vetëm te qeveria, por edhe te institucionet e tjera kushtetuese. Ne si grup parlamentar në këtë sesion duhet të jemi instrument llogaridhënës i institucioneve të pavarura. Të krijojmë një mekanizëm që institucionet e pavarura të kenë një fokus të veçantë lidhur me rekomandimet që jep BE", tha Çuçi ndër të tjera.
Lidhur me seancën e sotme ai tha se pritet të kalojnë edhe dekretet për ministrat e rinj prandaj pjesëmarrja në votim nuk duhet të mungojë, ndërsa shtoi se duhet të jenë të vëmendshëm ndaj opozitës, e cila me qëndrimet e deritanishme ka paralajmëruar se do të vijojë me tensionet në sallë./ZËRI