
TIRANË- Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij kanë munguar sot në seancën plenare ku iu hoq imuniteti kryedemokratit Sali Berisha. Sot, Kuvendi i Shqipërisë, me 75 vota pro, vendosi t’i heqë imunitetin duke miratuar autorizimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në sallë nuk mori pjesë as Enkelejd Alibeaj, i cili dha votën pro në Këshillin e Mandateve.
Edhe pse kishin deklaruar se do të votonin pro heqjes së imunitetit të Berishës, as Basha dhe as mbështetësit e tij nuk morën pjesë në seancë. ZËRI ka kontaktuar me deputetin Alibeaj për t'i marrë një prononcim lidhur me mungesën e tij, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka ende një përgjigje nga ana e tij. Një ditë më parë në Kuvend u dorëzuan dy raportet e përpiluara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve të cilët votuan në mbështetje të kërkesës së SPAK për t’i hapur rrugën arrestimit të Sali Berishës. Të dy raportet, si i ai i maxhorancës dhe ai i opozitës (Basha dhe mbështetësit e tij) i rekomandonin Kuvendit dhënien e autorizimit ndaj kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Berishës dhe më pas ndryshimin e masës së sigurisë./ZËRI