
TIRANË – Janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dy raportet e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, që i hapin rrugë arrestimit të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Një raport është dorëzuar nga Partia Socialiste ndërsa tjetri nga Partia Demokratike e “vulës”, që si përfaqësues në këshill kishte deputetin Enkelejd Alibeaj. Të dy raportot i japin “OK” SPAK-ut. Ndërkohë që pritet të kalojnë ditën e nesërme në seancë plenare.
“Anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, unanimisht i rekomandojmë Kuvendit: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale”, thuhet në raportin e Partisë Socialiste dhe që mban firmën e Ermonela Felajt, Klotilda Bushkës dhe Arben Pëllumbit.
“Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, thuhet në konkluzionet e Alibeajt.
Prokuroiria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë heqjen e imunitetit të deputetit për Sali Berishën. Kërkesë e miratuar në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit dhe pritet që të jetë nesër në pikën e parë të rendit të ditës të seancën plenare. Maxhoranca do ti hapë kështu rrugë SPAK për arrestimin e kreut të PD. Më pas SPAK do ti drejtohet Gjykatës së Posaçme me kërkesë për masë sshtrënguese sigurie pasi sipas akuzën, Sali Berisha nuk iu bind masës së vendosur më herët “Detyrim paraqitjeje”.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për "korrupsion pasiv'. Në privatizimin e klubit sportiv “Partizani”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, e po ashtu edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi. GJKKO vendosi masën e sigurisë 'detyrim parqitje' për ish-kryeministrin Berisha, teksa ky i fundit ka refuzuar të paraqitet pranë OPGJ. Pas kësaj, SPAK ka bërë kërkesë në Kuvend për shtrëngim të masës së sigurisë për Berishën. Këshilli i Mandateve vendosi t'i hapë rrugë SPAK-ut të për shtrëngimin e masës së sigurisë. Opozita deklaroi se SPAK nuk ka sjellë prova për Berishën në Këshillin e Mandateve, duke paralajmëruar protesta në ditët në vijim./ZËRI