
TIRANË- Ilir Beqaj nuk po hetohet vetëm me abuzimet në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilën e ka drejtuar për 4 vite, dhe ka firmosur disa kontrata të dyshimta, por edhe për drejtimin që i ka bërë agjensisë ku menaxhoheshin investimet e huaja në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije për Zërin se me një vendim të firmosur nga gjyqtarja e Posaçme Rudina Palloj, BKH ka ushtruar kontroll dhe në banesat e disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ilir Beqajt në Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur si SASPAK.
SPAK ka dyshime, e madje dhe përgjime të disa prej bashkëpunëtorëve të tij, se mund të jetë abuzuar me fondet e huaja, dhe për këtë janë bastisur edhe zyrat e disa prej organizatave që dyshohet se kanë përfituar. Si Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij janë mbajtur nën vëzhgim nga ana e SPAK, pasi Gjykata e vuri ish-ministrin nën masën e detyrimit të paraqitjes, dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën për koncensionin e sterilizimit.
Hetimi i ri, i çelur nga SPAK, është duke u zhvilluar për korrupsion, abuzime me tenderat dhe lidhje të Beqajt me kompaninë farmaceutike “Delta Pharma”, si dhe favorizim të saj gjatë kohës që ishte ministër shëndetësie.
Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për kontratat PPP, ndërkohë që për të njëjtën çështje në burg është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. SPAK ka hetuar për 3 vite këtë procedurë ku janë zbuluar shkelje të procedurave me qëllim dhënien e koncesionit, kompanisë së Rrapajt dhe italianit Umbro Staçini. Me caktimin e masës së sigurisë, Beqaj dha dhe dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. /ZËRI