
TIRANË- Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili teksa fliste për protestën me pensionistët, e quajti “sude me syze”. I ftuar në News24, Qori tha se për të, deklarata e kryeministrit nuk është sharje, por një bullizim për njerëzit me syze. Këtu, Qori përmendi dhe djalin e Ramës, për të cilin tha se mund të jetë ofenduar gjithashtu, pasi mban syze.
“Më vjen keq që bie niveli i diskutimit nga një kryeministër. Nuk është sharje për mua, por një bullizim për njerëzit me syze. Mbase dhe për djalin e zotit Rama që ka syze. Zoti Rama në 2018 ka bullizuar përsëri aftësinë time për të parë. Me sa duket është në nivelin e një fëmije në klasë të pestë që do të bullizojë shokët e klasës. Ka njerëz që vuajnë stigmën, unë jo. Dhe të dëgjojnë kryeministrin që shan një njeri për aftësinë e tij për të parë. Unë e di që Sudja, Xhaferri kanë qenë ata që merrnin gjithçka dhe nuk iu jepnin gjë shqiptarëve. Kush është ai që merr gjithçka dhe nuk jep asgjë. Kështu që kjo puna e Sudes i shkon më shumë z. Rama. I keni parë dhe këto bankat me mikrokredi, kur kanë ekzistuar, në kohën e z. Rama,”- tha Qori.