Politikë

SUKSES! Pranohet kërkesa për dalje në Thumanë-Kashar, si u negociua me qeverinë

Si përgjigje, nga qeveria u është premtuar se brenda 15 ditëve do të kenë daljen në Thumanë, por edhe një tjetër në Fushë Krujë. 

k.m.
SUKSES! Pranohet kërkesa për dalje në Thumanë-Kashar, si u
Pamje nga protestat

KRUJË- Banorët e zonës së Thumanës do të kenë dalje në autostradë për 15 ditë! Në të këtë përfundim kanë arritur pas negociatave që kanë zhvilluar pasditen e sotme me zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila mban gjithashtu postin e ministres së Infrastrukturës. Burime për ZËRI bëjnë me dije se në takimin me Ballukun kanë marrë pjesë rreth 15 banorë të zonës, të cilët kërkuan dalje në autostradë. Kërkesë këtë që e kanë bërë me dije prej muajsh teksa protestojnë çdo ditë në rrugë.

Si përgjigje, nga qeveria u është premtuar se brenda 15 ditëve do të kenë daljen në Thumanë, por edhe një tjetër në Fushë Krujë. 

Detaje për marrëveshjen e arritur me qeverinë ka dhënë edhe Sabah Sheta, banor i Krujës, si dhe një nga organizatorët e protestave në aksin Thumanë-Kashar.

POSTIMI I PLOTË:

E drejta vonon, por triumfon. Qeveria tërhiqet, krutanët do të ketë hyrje dhe dalje në aksin e rruges Thumanë-Kashar

Sot është një ditë e shënuar për banorët e Bashkisë Krujë. E tillë u kthye fal bashkërezistencës me vëllezërit të mi nga Kruja, Fushë -Kruja Nikla, Cudhia, Bubqi dhe Thumana. Pas një takimi që patëm si përfaqësi e qytetarëve të Krujës me zv.kryeministren dhe ministren e Transporteve Belinda Balluku prej saj në emër të qeverisë u pranua kërkesa jonë e drejtë dhe legjitime për të patur akses në rrugën Thumanë-Kashar. U bë e mundur që qeveria shqiptare të tërhiqet nga izolimi që i bënë mijëra bizneseve dhe 85 mijë banorëve të Krujës. Motra dhe vëllezër krutanë! Kjo nuk është lëmoshë dhe dhuratë për ne. Është një e drejtë e mohuar nga ekzekutivi, por tashmë e fituar dhe pse me vonesë, por që ishin protestat tona sistematike, rezistenca jonë, premtimi që i bëmë njëri-tjetrin për të mos bërë asnjë hap pas, ajo që na mundësoi uljen në tavolinë sot me znj.Balluku, prej së cilës morëm premtimin që qytetarëve të Bashkisë Krujë do tu kthehet ajo që kishin; akesin (hyrje dhe dalje) në rrugën e re Thumanë-Kashar. Veç falënderimit për secilin që na jeni bashkuar në çdo protestë, kam një mirënjohje për atë çfarë bëtë duke lënë punët tuaja të përditshme për të iu bashkuar kësaj kauze. Të nderuar vëllezër! Pa ju nuk do ta kishim të mundur të korrnim këtë fitore. NE e kishim bërë të qartë që nuk do të tërhiqeshim, ata e dëgjuan me zë dhe figurë, e panë përmes akteve tona, ndaj sot ishte ministrja e Transporteve Balluku që “vrau” indiferencën duke i kushtuar vëmendje këtij problemi që për në shkaktonte kosto sociale dhe ekonomike sepse Kruja është dhe një zonë turistike dhe historike. Duke vlerësuar premtimin dhe vendimin e Ministrisë së Transporteve për t’u tërhequr nga qëndrimi fillestar dhe kokëfortë i tyre dhe dhënien e zgjidhjes, duke iu dhënë qytetarëve të Krujës mundësinë të hynë dhe dalin në aksin e rrugës Thumanë-Kashar, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta përshëndesim këtë qëndrim dhe pse të vonuar, por ndërkohë do ta monitorojmë zbatimin e tij. Vëllezër edhe njëherë FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE për secilin! BASHKË ia DOLËM!

Protestuesit kërkonin hyrje dhe dalje nga autostrada e re, pasi rruga e vjetër ishte kthyer në një aks të “vdekur” dhe u ka ndërprerë lidhjet e transportit. Banorët kanë thënë vazhdimisht se ndërtimi i autostradës ka bllokuar aksesin e tyre në rrugën e re dhe ka çuar drejt falimentimit të bizneseve të tyre. Për të kërkuar të drejtën e tyre, banorët e Thumanës protestuan edhe para Kuvendit disa javë më parë, ndërsa për nesër ishte parashikuar edhe një interpelancë me ta./ZËRI

Poll

MOS HUMB