
TIRANË- Këtë të martë në Komisionin e Ligjeve është diskutuar projektligji i ri për Prefektin e Qarkut, i cili në fund është miratuar vetëm me votat e mazhorancës. Për të raportuar në Komision ishte i pranishëm Ministri i Brendshëm Taulant Balla. Referuar projektligjit, Balla tha se ndryshimet e reja i japin një ridemensionim rolit të Prefektit, qoftë në nivel qarku, por dhe në detyrat dhe përgjegjësitë e tij.
Me ndryshimet e reja Prefekti i Qarkut verifikon ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore. Po ashtu me propozim të tij si përfaqësues i Qeverisë qëndrore në qark, do të ngrihen pranë njësive të qeverisjes vendore, këshillat vendorë të sigurisë publike për kryerjen e funksioneve të veçanta për rendin dhe sigurinë publike, për kryerjen e funksioneve të veçanta për rendin dhe sigurinë publike.
Partia Demokratike që në fillim deklaroi votën e saj kjndër. Këtë e bëri me dije kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi. Sipas tij, ndryshimet në ligj synojnë që të zgjerojnë kompetencat e kryeministrit.
Gazment Bardhi: Ligji i zgjeron kompetencat kryeministrit dhe vendos pabarazi mes një qytetari të thjeshtë dhe një investitori strategjik. Që ta kuptojmë; Olta Xhaçka ka një trajtim krejt preferencial kur ndërton hotelin 5 milionë euro, në tokë të vjedhur me letra të falsifikuara në raport me një qytetar që do të rregulloje një çati apo një dritare. Këto ndryshime kanë dy standarde. Ka edhe një arsye tjetër. Ata oligarkë që ndërtojnë pa leje, në vend që të shkojnë në burg siç shkon një qytetar në burg për një gardh, përjashtohen nga taksat dhe detyrimet. Prandaj ligji nuk është për qytetarët, por për kryeministrin dhe oligarkët.
Ndërkohë Balla dhe Bardhi nuk i kursyen debatet.
Gazment Bardhi: Vazhdoni videoklipin mqs e kemi që japim fjalën njëri-tjetrit.
Taulant Balla: Nuk kam dyshim që votoni kundër pa ditur se çfarë votoni sepse kam shumë vite në Kuvend. Ndjej keqardhje sepse nëse do t’i zbardhte dikush ndërhyrjet që erdhën nga deputetët e opozitës… Ju ndërhyva gjë kur folët, keni një huq të keq që duhet ta ndryshosh. Ju referuat këtu rastit të një zjarri në një qendër tregtare në Lushnje, kur iu bënin akuza nga divani, unë dhe kolegët kanë qenë atje.
Ndërhyn Bardhi pa mikrofon
Taulant Balla: Ti fle gjumë herët se të ka ngelur nga Luli kjo. Ti ke fjetur me Lulin dhe flini herët. Ta mbaroj, ti gënjen.
Gazment Bardhi: Po pse?
Taulant Balla: Edukata është si këmisha e bardhë që shkon me çdo veshje, dhe unë në përgjithësi mbaj këmishë të bardhë. Po të them që gënjeve, sepse po të informoj si më poshtë vijon…
Gazment Bardhi: Falë ndërhyrjes tënde atje, zjarri u shua…
Taulant Balla: Më vjen keq që je kreu i grupit parlamentar me këtë edukatë.
Një tjetër ndryshim do të ketë dhe në rast kur Prefekti dorëhiqet apo largohet nga detyra për arsye nga më të ndryshmet. Në këtë moment “stafetën” e drejtimit e merr nënprefekti, i cili me ligjin e ri është parashikuar që të mos kandidojë qoftë për zgjedhjet në kuvend, apo për organet e qeverisjes vendore, njëlloj siç parashikohet edhe për prefektin. Ndërsa ndryshime do të ketë dhe sa i përket menaxhimit të emergjencave natyrore, si zjarret apo përmbytjet./ZËRI