
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta kërkon lirimin nga ambientet e paraburgimit, ku ndodhet aty me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Mësohet se përmes avokatit të tij, Genc Gjokutaj, ai ka depozituar në Apelin e Gjykatës së Posaçme kërkesën për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Avokati Gjokutaj, pasi doli nga ambientet e SPAK tha se ata janë duke investiguar akuzat që rëndojnë mbi ish-presidentin. Më tej ai shtoi se ata kanë kallëzimin gati për policinë, por informacioni nga policia do t’i ndihmojë për një kallëzim.
“Është marrë një e dhënë që është bërë brenda asaj dite, vendim në hamendësime, në rrethana të caktuara. Në të tre procedimet që i kanë bashkuar bashkë si duket është një metodë që u ka dhënë goxha dorë, në të treja procedimet pjesa e mosdeklarimit është krejt tjetër situata jemi duke investiguar këtë pjesë, do mbështetet në bazë dokumentesh. Kemi kallëzimin gati për policinë, por informacioni nga policia do të na ndihmojë për një kallëzim”, tha Gjokutaj.
Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale: për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit. Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv, ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. /ZËRI