Politikë

U sulmua me kos e vezë/ Beleri refuzon mediat shqiptare dhe flet në greqisht: Rama më urren!

Eurodeputeti Fredi Beleri ia atribuoi urrejtjes “të kultivuar nga Edi Rama” sulmin që iu bë paraditen e sotme teksa po futej në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

k.m.
U sulmua me kos e vezë/ Beleri refuzon mediat shqiptare dhe flet në
Fredi Beleri

TIRANË- Për mediat shqiptare nuk kishte komente, por është "zbërthyer" para atyre greke. Eurodeputeti Fredi Beleri ia atribuoi urrejtjes “të kultivuar nga Edi Rama” sulmin që iu bë paraditen e sotme teksa po futej në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Madje shtoi se ky episod mund të ndikojë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Pas incidentit, në deklaratën e tij, Fredi Beleri tha: Urrejtja që zoti Rama ka kultivuar prej kaq kohësh ndaj meje dhe ndaj pjesëtarëve të minoritetit etnik grek në Himarë nuk mund të shfaqet më. Fatkeqësisht, Shqipëria kandidate sot tregon përbuzje ndaj një institucioni lider europian, në të cilin dëshiron të bëhet anëtare. Por edhe diskreditimin e konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar për mbrojtjen e misioneve diplomatike. Kam kaluar 16 muaj në një qeli shqiptare, këto sulme nuk mund të më prekun. Shqipëria duhet të dëshmojë se dëshiron dhe duhet të jetë në Evropë. Kjo nuk mund të bëhet nëse nuk shëron plagët e hapura në demokraci dhe shtetin e saj ligjor, por edhe nëse nuk respekton të drejtat e pakicës sonë kombëtare. 

Një reagim ka ardhur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme greke, e cila gjithashtu dënoi sulmin ndaj Belerit.

“Dënojmë nxitjen e sulmit ndaj eurodeputetit grek Fredi Beleri gjatë vizitës së delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë, për të kontrolluar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve dhe lirinë për të kryer punën e tyre pa pengesa. Eurodeputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe ata duhet të gëzojnë respektin e duhur”.

Beleri është anëtar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri dhe po merr pjesë në misionin katërditor (28-31 tetor) për të kontrolluar rrugën e anëtarësimit të vendit drejt Bashkimit Evropian. Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ka për detyrë të bëjë vizita në Tiranë, për të siguruar bashkëpunimin e Parlamentit Evropian dhe Kuvendit. Pas takimeve, grupi do të nxjerrë rekomandime për çështjet ku do të konstatohen devijime nga rruga e integrimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB