Politikë

Çudira shqiptare/ Kuvendi sposton seancën, deputetët i japin vetes 10 ditë pushim… për të ndjekur Kombëtaren!

Një pjesë e deputetëve janë shprehur se do të udhëtojnë drejt Gjermanisë me makinë, dhe për këtë iu është dashur një ditë kohë më shumë në dispozicion, duke paraprirë seancën në Kuvend

E.K
Çudira shqiptare/ Kuvendi sposton seancën, deputetët i japin
Kombetarja dhe deputetet

TIRANË- Në mënyrë të pazakontë, seanca e kësaj jave në Kuvend, do të zhvillohet ditën e mërkurë (sot), pasi deputetët i kanë dhënë vetes kohë, në mënyrë që të nisen drejt Gjermanisë, për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Ndeshja e parë e kuqezinjve do të luhet të shtunën, dhe duke qenë se një pjesë e deputetëve do të nisen me makina drejt Gjermanisë, Kuvendi e ka parë të udhës të përshpejtojë seancën plenare.

Në rendin e ditës në seancën e sotme është projektligji që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionierit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2023, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”.

Sikur të mos mjaftonte zhvendosja e seancës së kësaj jave, edhe të enjten e ardhshme Kuvendi nuk do të mblidhet. Në këtë mënyrë këto 10 ditë turizëm në Gjermani mund të konsiderohen si një pushim i vogël për deputetët përpara se të rikthehen në fund të qershorit, të punojnë deri në fund të korrikut e më pas të marrin pushimet e verës deri në fillim të shtatorit.

Në një kohë që deputetët, dhe e gjithë kupola e politikës, do të jetë për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares në Gjermani, për shqiptarët nuk ndryshon asgjë, pasi do të duhet që të shkojnë çdo ditë në punë, në mënyrë që të sigurojnë jetesën e tyre.

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit po përgatitet për eksperiencën e dytë në finalet e një Europiani. Kuqezinjtë ndodhen në grupin e “ferrit” së bashku me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Skuadra e Sylvinhos do tentojë që të bëjë surprizën e madhe, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB