
HIMARË-Nipi i Vangjel Tavos, Harallamb Tavo është duke u bërë presion votuesve në Himarë, për të votuar për kandidatin socialist në zgjedhjet që po zhvillohen këtë të diel për kryetar bashkie. Qytetarët theksojnë se Harallamb Tavo është një person me rrezikshmëri të lartë dhe gjatë gjithë ditës së sotme ka kërcënuar votuesit nëpër qëndrat e votimit, duke përdorur edhe persona të tjerë, si Mondi Goro, kushëriri i ish-kryebashkiakut të arrestuar të Himarës, Jorgo Goro.
Nga pamjet e publikuara nga Syri.Tv dallohet se si Mondi Goro, në mënyrë të jashtëligjshme qëndron brenda Qendrave të Votimit, duke kontrolluar votuesit, si dhe kërcënon vëzhguesit e opozitës. Në një moment teksa votohet ai, shihet te dera e qendrës së votimit duke bërë me gisht shenjën 'Jo'.
Jorgo Goro është ish-kreu i Bashkisë së Himarës i zgjedhur në detyrë, pas arrestimit të ish-kryeshshkiakut Fredi Beleri, i dënuar me dy vite për blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit. Goro po ashtu u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi. Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall. /ZËRI