
TIRANË- Vota e Diasporës është një nga temat më të ‘nxehta” të Reformës Zgjedhore, e cila ende nuk ka marrë zgjidhje pasi palët politike nuk kanë rënë ende dakord. Në këto kushte, shqiptarë që jetojnë jashtë dhe nismëtarët e lëvizjes “Duatevotoj2025, i janë drejtuar me një shkresë zyrtare, Gjykatës Kushtetuese duke deklaruar se janë të shqetësuar në lidhje me mundësinë për të votuar në zgjedhjet e radhës.
Në letrën e tyre ata shprehen se Kuvendit i ka skaduar afati 1-vjeçar për votën e emigrantëve. Këtu ata i kërkojnë Kushtetueses që të marrë masa që vendimi i marrë prej saj të zbatohet.


LETRA:
Ky vendim, i cili detyron Kuvendin e Shqipërisë të mundësojë votimin nga jashtë vendit brenda një viti, ende nuk është reflektuar në legjislacionin zgjedhor të vendit, duke penguar kështu të drejtë themelore të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut për të votuar. Duke marrë parasysh që afati 1-vjeçar i zbatimit të vendimit ka skaduar dhe Kuvendi i Shqipërisë gjendet sot në shkelje të Kushtetutës, me zgjedhjet e ardhshme të planifikuara në pranverë 2025, është e domosdoshme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të ketë kohën e nevojshme për të implementuar dhe mundësuar votimin e diasporës. Moszbatimi i këtij vendimi cenon legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme, parimet e demokracisë dhe të drejtën tonë kushtetuese për të votuar nga jashtë vendit, ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që të ndërmarrë hapat e nevojshëm zyrtar për të siguruar zbatimin e vendimit Nr. 38/22 nga Parlamenti./ZËRI