Politikë

Votimi për Xhaçkën, Peleshi: Ishim të paqartë, prevalon e drejta e deputetit apo detyrimi për të zbatuar vendimet e Kushtetueses?

Peleshi tha se PS do të veprojë në bazë të opinionit që do të japë Komisioni i Venecias

E.K
Votimi për Xhaçkën, Peleshi: Ishim të paqartë,
Niko Peleshi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, ka folur për gazetarët pas mbledhjes së grupit, ku mbrojti qëndrimin e të majtëve për mandatin e Olta Xhaçkës.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me qëndrimet e BE dhe SHBA, Peleshi tha se PS nuk kishte për qëllim të kundërshtonte Gjykatën Kushtetetuese, por ishin të paqartë se cila prej të drejtave prevalonte, ajo e deputetit për të votuar lirisht, apo detyrimi i Kuvendit për të zbatuar vendimet e Kushtetueses.  

Niko Peleshi: Nuk bëhet fjalë për një kundërshtim të Gjykatës Kushtetuese, ne e zbatuam vendimin, duke e futur në seancën e parë. Është e vërtetë nga ana tjetër që ky mocion nuk përparon dot, për shkak të votimit me abstenim, apo kundër. E gjitha kjo për shkak të paqartësisë, nëse prevalon e drejta e deputetit për të vendosur, apo detyrimi për t’u zbatuar vendimi i Kushtetueses. E çmoj të drejtë vendimin e kryetares së Kuvendit, për të kërkuan opinion nga Venecia, do të na vlejë për të gjitha vendimet e mëtejshme të Gjykatës Kushtetuese.  Ne vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kemi trajtuar me seriozitetin e duhur, Kuvendi është një bashkësi deputetësh, votimi bëhet sipas vullnetit të deputetëve.

Kush e kontrollon votën e deputetëve?

Niko Peleshi: Ne nuk kemi thënë që nuk votojmë me vendim grupi, këtë herë nuk është marrë një vendim politik, nuk ishte ky rasti. Ne votojmë në grup, dikush mund të jetë edhe kundër, por zbaton disiplinën e grupit. Unë ju thashë që për këtë çështje nuk kishte një vendim grupi, sepse vetë ne ishim të paqartë. Abstenimi duhet lexuar në këtë rast si paqartësi.  

I pyetur nga gazetarët për qëndrimet që kanë mbajtur më herët socialistët, që kanë lëshuar shumë prej kolegëve, Peleshi tha se diskutimet bëhen rast pas rasti.

Me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të enjten e kaluar, që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit. Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca./ZËRI 

Poll

MOS HUMB