Politikë

Vula në duart e Bashës...por e askujt!

Vula dhe logoja e Partisë Demokratike ligjërisht janë në duart e Lulzim Bashës.

F.m
Vula në duart e Bashës...por e askujt!
Lulzim Basha dhe Sali Berisha

TIRANË- Vula e Partisë Demokratike ka mbetur sërish në udhëkryq! Gjykata e Lartë ka prishur sot vendimin e marrë nga ajo e Apelit duke kërkuar rigjykimin me një tjetër trupë gjykuese. Vendimi u mor sot nga treshja Artur Kalaja, Ervin Pule dhe Dariel Sina, ndërkohë që vetë kryedemokrati Sali Berisha protestonte i ulur këmbëkryq para duyerve të Gjykatës bashkë me deputetët e demokratët mbështetës.

Vula dhe logoja e Partisë Demokratike ligjërisht janë në duart e Lulzim Bashës. Në mars të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosi të rrëzojë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukrit dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë. Ndërsa tashmë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, do të zhvillohet një tjetër seancë në Apel, por me një trupë të re gjykuese.

ZËRI kontaktoi dhe me juristin Jordan Daci, i cili shpjegoi qartë se për efekt vazhdimësie, vula i përket Bashës, por që formalisht nuk është e askujt, pasi as ish-kryedemokrati nuk e përdor dot. 

ÇFARË KA NDODHUR DERI MË TANI ME VULËN E PD-së?

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga Lulzim Basha. Po atë ditë, Berisha dhe mbështetësit e tij morën kontrollin e selisë së partisë, pas protestës së dhunshme që u zhvillua më 8 janar të vitit 2022, teksa brenda godinës qëndronte Basha e përkrahësit e tij.

Vendimi u ankimua menjëherë nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Përfaqësuesit e Berisha kërkuan nga gjykata e Apelit, mospranimin e ankimit per shkak se sipas tyre Alibeaj nuk legjitimohet për një akt të tillë, ose në alternativë, të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova. Nga ana e tyre përfaqësuesit e Alibeaj kërkuan prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhe pushimin e çështjes ose në alternativë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

Pas marrjes në shqyrtim, Gjykata e Apelit vendosi rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese. Pas marrjes së vendimit, Berisha paralajmëroi se do të ketë lëvizje. Ankimimi u bë edhe në Gjykatën e Lartë, institucion që doli sot me një vendim, i cili nuk i jep fund konfliktit për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit dhe e ngarkoi Gjykatën e Apelit me zgjidhjen në themel të çështjes, por me një tjetër trupë gjykuese. Ndërkohë që pritet caktimi i trupës dhe i datës së zhvillimit të seancës, vulën e mban Basha, ndërsa selinë Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB