Politikë

"Vula" në duart e Berishës, Basha me dilema...ende asnjë plan (Opsionet dhe vijat e kuqe)

Pas vendimit për vulën, Basha dhe shumë prej zyrtarëve ishin të shqetësuar, të mërzitur dhe pa një ide të qartë se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre.

k.m.
"Vula" në duart e Berishës, Basha me dilema...ende
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

TIRANË- Vula dhe logoja e Partisë Demokratike tashmë janë në duar të Sali Berishës. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Apelit, duke i dhënë kështu fund një kalvari dhe një beteje mes demokratëve. Njëra palë u gëzua, tjetra është ende e paqartë (të paktën publikisht) sesi do të procedojë. Nga dritarja e banesës së tij, Sali Berisha e priti me gëzim vendimin, duke bërë thirrje për bashkim mes demokratëve, me premtimin se do t'u respektohej çdo mendim ndryshe, por po ashtu, do t'u vlerësohej kontributi që i kanë dhënë ndër vite selisë blu. Por nuk i përmendi kurrë me emër dy "armiqtë" e tij, Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, të cilëve çdo herë që ka pasur mundësi në dalje publike i ka mbyllur derën. Por ndoshta dje, thirrja ishte edhe për ta, edhe pse nga pala tjetër duket se nuk ka asnjë vendim të qartë. 

Nga kampi tjetër u zhvillua një mbledhje urgjente nga 11 deputetët që rrezikojnë të cilësohen si "të pavarur" për pjesën e mbetur të legjistalturës së Kuvendit deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas gazetarit Osman Stafa, Basha dhe shumë prej zyrtarëve ishin të shqetësuar, të mërzitur dhe pa një ide të qartë se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre. Të njëjtat burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes janë hedhur 4 ide se çfarë mund të ndodh me grupimin e Bashës.

OPSIONET QË PO SHQYRTON PD:

1. Rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë

2. Krijimi i një partie të re dhe ndarje përfundimtare nga Sali Berisha

3. Asnjë të mos angazhohet më në poltikë

4. Krijimi i një fraksioni brenda PD-së, ku Berisha nuk njihet si kryetar

Por vetë Basha nuk ka mbajtur asnjë qëndrim, të paktën deri më tani! Dje, menjëherë pas vendimit tha se "beteja vazhdon", e më pas edhe njëherë përsëriti se ende nuk ka një vendim se çfarë do të ndodhë me grupin e tij. Por premtoi se do të bisedonte me demokratët dhe do të merrte një vendim. Megjithatë një shpresë e ka edhe në rekurs, duke pretenduar se juristët e zgjedhur prej tij kanë konstatuar se vendimi që i dha vulën dhe logon Sali Berishës është i padrejtë dhe i pabazuar në ligj. 

Sot, pasi u mendua gjatë, edhe Basha doli me një kusht të vetin që më shumë gjasa nuk do t'i plotësohet. 

"Kushti që unë kam për të bashkëpunuar me këdo është distancimi i qartë jo vetëm nga Edi Rama dhe nga Ilir Meta,”- tha Basha, duke e bërë pak më të vështirë ekuacionin e një bashkimi me Berishën. Kjo sepse Partia Demokratike ka një aleancë me Partinë e Lirisë, logon e të cilës e përdori për t'u futur në zgjedhjet e fundit lokale. Për të mos përmendur edhe kartën morale të faktit që edhe vetë Basha jo më larg se 3 vite më parë shtrëngoi duart me Monika Kryemadhin për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Edi Ramën. 

"Vula" në duart e Berishës, Basha me dilema...ende
Foto nga dita e marrëveshjes PD- LSI

Megjithatë, bie në sy që Berishën nuk e përmend më si "non grata", çka do të thotë që opsionin për bashkëpunim me të nuk e eliminon si mundësi. Veçse kjo do të minonte atë betejë që ai pretendon se ka bërë për mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të cilën vazhdon dhe i predikon. Vetë nuk e përjashtoi, pasi në fund të fundit e ka një precedent: Gazment Bardhin! Ai që konsiderohej si personi më i afërt me të ndërroi "kah" duke iu bashkuar Berishës në emër të luftës ndaj "regjimit&narcoshtetit" duke harruar akuzat për Flamur Nokën dhe "babin e Xenit", ndaj nuk është e padëgjuar që edhe Basha të mos i qëndrojnë më deklaratave të tij për "trekëndëshin e Bermudës". 

Por 11 deputetët e Bashës, çfarë mendojnë?

Teksa futej në mbledhje, në një prononcim të shkurtër për mediat, Enkelejd Alibeaj tha se do të zbatonte vendimin e Gjykatës "pikë për pikë", ndërsa Kreshnik Çollaku tha se do respektojnë vendimin e Apelit. Ai tha se është deputeti i PD dhe do mbetet deputet i PD.

"I qëndroj atyre që kam deklaruar. Ka një vendim të gjykatës që kemi detyrimin ta respektojmë. Do komunikojmë më tej. Jam deputeti i PD dhe do mbetem deputet i PD. Vendimi është marrë, e respektojmë."

Për të mësuar më shumë lidhur me atë që mendojnë deputetët e Bashës, ZËRI ka tentuar që të komunikojë me secilin prej tyre, por vetëm një prej tyre kishte një "përgjigje" për të dhënë.

"Do ta bëjmë të ditur qëndrimin zyrtar, por nuk do të ketë lëvizje nga parimet dhe partneriteti me aleatët tanë,"-tha Arbi Agalliu, të tjetër u fshehën pas pretendimit (që nuk qëndron) se nuk i komentojnë vendimet e drejtësisë. 

Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar!/ZËRI

Poll

MOS HUMB