
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, për shkak se kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e konsideroi banal dhe fyes vendimin e socialistëve për të spostuar punimet e Kuvendit, pasi deputetët nisen për të parë ndeshjet në Gjermani. Bardhi tha se vendimi ka qenë i njëanshëm, ndërkohë që drejtuesja e seancës së sotme, Ermonela Felaj, tha se opozita ishte e vonuar me kërkesën e saj, pasi duhet të merrte pjesë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve.
Bardhi: Sot është e Mërkurë dhe keni vendosur që Kuvendin ta trajtoni si dyqanin tuaj personal. Në cilësinë e drejtueses së seancës do duhet t’u shpjegoni qytetarëve sepse ka dalë një arsye banale, fyese se pse është zhvendosur seanca nga dita e Enjte për të Mërkurën. Keni detyrimin, sepse keni marrë një vendim të njëanshëm pa u konsultuar me opozitën. Nëse është ajo arsye, është akt i turpshëm dhe ne distancohemi nga ajo arsye banale. Së dyti, me kërkesën e depozituar brenda afatit të përcaktuar nga Rregullorja e Kuvendit, një grup deputetësh duan interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për keqpëdorimin e fondeve publike apo për tenderat publikë.
Nëse firmoset nga 7 deputetë, duhet të jetë pikë e parë e seancës. Jemi njohur me një përgjigjie banale, jeni kthyer në banalë në gjithçka bëni. Na e cilësoni si cenim të nderit dhe dinjitetit të kryeministrit. Kolegët kanë 10 minuta në dispozicion për të shpjeguar qëndrimin e tyre. Ju pasi keni shkelur Kushtetutën e Rregulloren, tani shkelni të drejtën e tyre për të sqaruar interpelancën. Edi Rama nuk i fshihet dot gjatë drejtësisë dhe llogaridhënies.
Felaj: Jeni me vonese, kur u miratua kalendari, është vendimi i konferencës ju nuk denjuat të merrnit pjesë. /ZËRI