
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy shkeli në tokën shqiptare pak minuta para mesnatës së 27 ahkurtit ku u prit në Aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali. Eskorta e "blinduar" deri në detaje u nis nga Rinasi drejt hotelit ku do të qëndronte Zelenskyy, të cilin një ditë më pas e priste një ditë e ngarkuar.
Samiti i Europës Juglindore dhe Zelenskyy
Ishte ora 9:05 minuta kur Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy mbërriti në Kryeministri ku u prit nga kreu i ekzekutivit Edi Rama. Ishte një ceremoni e thjeshtë pasi kështu e kërkonte protokolli i sigurisë i hartuar nga Inteligjencat e të dy vendeve.
Lideri ukrainas zhvilloi një takim "kokë më kokë" me Kryeministrin Edi Rama ku fokusi ishte mbështetja për Ukrainën dhe forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Po ashtu u zhvillua një takim mes dy delegacioneve.
Në fund Rama dhe Zelenskyy nënëshkruan Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Detajet e takimit i ka bërë me dije Zelenskyy përmes një postimi në X. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar me Ramën ne Tiranë do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimin me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan.
Po ashtu çështje e rëndësishme e takimit "kokë më kokë" mes tyre ka qenë dhe bashkëpunimi ushtarak.
"Sot diskutuam gjithashtu nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta. I jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar. Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve”, shkruan Zelenskyy.
Kryeministri Edi Rama i ka dhuruar Volodymyr Zelenskyy-t librin e tij me piktura të zgjedhura.
Ora 11:10 Rama pret liderët e Ballkanit dhe Europës Juglindore në Pallatin e Kongreseve! Krah Ramës qëndroi dhe Presidenti ukrainas.
I pari që ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve ishte i "zoti i shtëpisë Edi Rama. Ndërsa nga të ftuarit i pari që u takua me kreun e Qeverisë ishte Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Pas shtrëngimit të duarve ata i pritën bashkë liderët e rajonit. Ndërkohë shkëmbyen dhe një bisedë të gjatë mes tyre.
Vjosa Osmani dhe mesazhi i saj
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pati një pritje miqësore nga Rama e Zelenskyy, por më shumë se kjo ajo që tërhoqi vëmendjen ishte deklarata e saj! Kryetarja e shtetit te Kosovës deklaroi se vendi i saj do të jetë krah Ukrainës deri ne fitoren e kësaj të fundit ndërsa shtoi se do kërkojë nga Zelenskyy njohjen e Kosovës. Osmani u kujdes të theksonte se mirëkupton situatën ne të cilën ndodhet Ukraina ndërsa u shpreh e bindur se momenti kur Ukraina të njohë Kosovën do të vijë.
Aleksandër Vuçiç i "ftohtë" me Ramën e Zelenskyy-n
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ishte disi jo komod në takimin me Ramën dhe Zelenskyy-n. Kjo u pa dhe në ftohtesinë e takimit mes tyre në nje kohë qe Serbia është nga vendet që nuk ka vendosur sanskione ndaj Rusisë, si vendet e tjera të rajonit, BE-së apo SHBA-të pas agresionit të saj në Ukrainë më shumë se dy vite më parë.
Nis Samiti
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është e vetëdijshme për kapacitetin e saj financiar dhe ushtarak, ndërsa bëri thirrje ndaj të gjithë të pranishmëve për të shtuar mbështetjen ndaj Ukrainës.
"Lufta e Rusisë një katastrofë, Putin nuk ia ka dale. Ukraina nuk po lufton vetëm për vete, po për demokracinë, kërkojmë një paqe që respekton pavarësinë e Ukrainës. Sapo kemi shënjuar përvjetorin e dytë të agresionit rus, përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë, për ti dhënë fund luftës. Mbetemi të vendosur krahë Ukrainës, përballë një kërcënimi mjaft real ndaj Europës, ndërsa jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona. Ne nuk kemi kapacitetin financiar dhe ushtarak, më lini që ti kërkoj gjithkujt këtu, për të njohur rolin e tyre. Mbështetja për Ukrainën nuk duhet të jetë pjesë e politikave të brendshme. Kolegë e miq e dimë shumë mirë se kontinenti ynë ka dalë nga dy lufta të tmerrshme botërore, në rajonin tonë, plagët e thella që ka lënë ish-Hygosllavia duhen shëruar ende. Duhet të qëndrojmë së bashku përballë atyre që duan të shkatërrojnë stabilitetin", tha Rama.
Ndërsa Zelenskyy u shpreh se Presidenti rus Vladimir Putin po detyron kombet e lira ti nënshtrohen regjimit të tij.
"Është hera e dytë që në takohemi së pari në Athinë dhe tani në Tiranën mikëpritëse. E vlerësoj mirëkpritjen dhe mundësinë që po na jepni të gjithë së bashku sesi ne mund të fuqizojmë më tej vendet tona, rajonat tona dhe të gjithë Evropën. Ne të gjithë duam që Evropa të jetë ajo hapësirë në të cilën çdo vend, çdo komb përcakton fatin e vet, kemi parë sesi në të shkuarën ka patur njerëz që janë përpjekur të përcaktojnë fatin e vendit të tyre. Putin do të bëjë pikërisht këtë gjë tani. E gjithë armiqësia e tij dhe gjithçka që ai bën duke detyruar kombet të bëjnë atë që ai thotë është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendoisin se ç'duhet të bëjnë kombet për çfarë bihen apo jo dakord ato. Është e rëndësishme për shtetet të lira që Putini dhe regjimi i tij të humbasë. Sepse siguria jonë është humbja e tij", tha ai në Samit.
Foto Familjare
Pas përfundimit të samitit Kryeministri Edi Rama dhe liderët e pranishëm, bashkë me Volodymyr Zelenskyy u bën bashkë jashtë Pallatit të Kongreseve për realizimin e "Fotos familjare". Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u pa duke biseduar me Zelenskyy-n gjatë fotos, por dhe kthimit në sallën e Pallatit të Kongreseve! Biseda mes tyre mbetet ende e paqartë. Vetë Vuçiç tha pas përfundimit të samitit se ka pasur një bisedë të veçantë me Zelenskyy-n, por po ashtu nuk ndau detaje.
Konferenca e përbashkët për media
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtuan sallës së "Albanologjisë" në Pallatin e Kongreseve. Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama u shpreh se sot Vladimir Putin nuk po pushton vetëm Ukrainën, por po kërcënon dhe rendin botëror.
"Jam i privilegjuar që kam folur me Presidentin për këtë gjë. Për mua është përgjigja më e qartë më e shkurtër dhe e saktë për faktin se ku shkon bota nëse ndjekim logjikën e Putin për justifikimin e një lufte, duke i bërë thirrje së shkuarës. Kjo është perandoria mongoleze, Rusia është brenda saj. Ajo që më shqetëson jo të gjithë e kuptojnë se për Putin që sulmon Ukrainën s'ka të bëjë vetëm me të por është një sulm kundër rendit botëror të mbështetur në rregulla është një sfidë, më e hapura me e pamëshirshmja ndaj vetë ekzistencës së BE", tha Rama.
Ndërsa Zelenskyy i pyetur për ndikimin rus në rajon, tha se Kremlini do të bëjë gjithçka për të destabilizuar rajonin. Ndërkohë mbajtjen e samitit e cilësoi si moment historik
"Fakti që gjendemi këtu në një tryezë kemi shembuj historikë të marrëdhënieve të ndryshme dhe është e rëndësishme që kemi ardhur të ulemi së bashku. Ajo çfarë po ndodh tani është shembulli i duhur. Samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin e shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar rajonin. Sot nuk duhet të bëjmë pauza por të forcojmë Ukrainën. Rusia do të destabilizojë më tej nëse do të ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe të mbijetojë politikisht ndaj këtyre agresioneve e do të përpiqet të ushtrojë ndikim në ato vende të vogla që përfiton sukses shpesh. Vendet balltike e Ballkanit janë në kërcënim serioz, aty ku Bashkimi Sovjetik ka qenë i pranishëm", tha Zelenskyy.
Vizita 14 orëshe e Volodymyr Zelenskyy-t në Tiranë ishte padiskutim historike, por mbetet e paqartë se çfarë prodhoi samiti i sotëm. Në fund liderët e rajonit kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku theksohet se agresioni ushtarak i Rusisë përballë Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Në deklaratë thuhet gjithashtu se vendet e mbështesin plotësisht të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur vetë masat e saj të sigurisë dhe se qëndrojnë të vendosur për të sjellë para drejtësisë ata individë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizori sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në lidhje me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Ndërkohë lideri ukrainas u nis drejt Rinasit, për t’u rikthyer në jetën e vërtetë, mes luftës që nuk dihet se kur do të përfundojë./ZËRI