
VLORË-Situata e zjarrit në fushën e mbetjeve në Vlorë nuk ka kaluar pa debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Përmbajtja e mbetjeve bëri që situata të mos përballohej me stafin e zjarrëfikësve të qytetit ndaj dhe u kërkua ndihma e emergjencave civile. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se flakët u shuan dy herë në ditën e parë, por që rreth mesditës ishin më të forta.
"Prezenca e letrës dhe plastikën e bëri thuajse të pamenaxhueshme vetëm nga stafi që kemi në bashki. Lufta ka vazhduar prej 3 ditësh. Dy ditët e para prezenca e tymit ka qenë shumë e madhe,"-u shpreh kreu i Bashkisë.
Ndotjen dhe pasojat për turizmin e pranoi si kreu i bashkisë dhe opozita, por këta të fundit nuk pranojnë ta cilësojnë fatkeqësi natyrore. Për opozitën gjithcka ka qenë në dorë të mazhorancës dhe dorëzimi në kohë do kishte shmangur ngjarjen duke paralajmëruar edhe padi në prokurori.
‘’Kjo nuk është fatkeqësi natyrale. Kjo është fatkeqësi politike,"-u shpreh opozita.
Në kulmin e sezonit turistik, Vlora u përball me një ndotje mjedisore të shkaktuar nga flakët që përfshinë fushën e mbetjeve. Si pasojë e djegies së mbetjeve, tymi i madh në formë reje përhapet në të gjithë qytetin, duke krijuar shqetësime tek pushuesit. Kjo situatë që rëndon shëndetin e qytetarëve ka edhe impakt negativ për sezonin turistik. Banorët e Vlorës shohin si shpresë të vetme për situatën, vënien në funksion të Lanfillit te Sherishtës./ZËRI