
TIRANË- ZËRI ka konfirmuar se personi në foton që është publikuar sot nga Brryli Broadway dhe ka qarkullur gjatë gjithë ditës në media e rrjete sociale, është në të vërtetë Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri që sot kërkohet nga drejtësia. Në një në një komunikimin me ZËRI-n, ishte vetë Ahmetaj ai që konfirmoi se në çastet që është shkrepur fotoja, ka qenë duke shëtitur vajzën e tij të vogël me karrocë në parkun e Liqenit Artificial në Tiranë.
Por, fotoja nuk është shumë e freskët. Sipas ish-ministrit Ahmetaj, kjo foto është shkrepur dy vite e gjysmë më parë. Madje, për ta përforcuar më tej këtë fakt, Ahmetaj shton se vajza e tij tashmë është gati tre vjeçe e gjysmë dhe nuk e përdor më karrocën.
Aktualisht, Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar. Ai ndodhet tashmë në arrati, akuzuar për veprat penale korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve.