TIRANË- Dasma 'e veshur' me luksin e 500 mijë eurove ka bërë bujë në rrjetet sociale, teksa nuk mungojnë komentet me disa që kanë ngelur të mrekulluar e të tjerë që bëjnë 'llogaritë' që nga veshja, ambjenti dhe deri të udhëtimi në Romë të Italisë. Reagime të shumta, siç ishte ai i Eva Muratit, i ka dhënë akoma edhe më shumë zë kësaj dasme, e cila për më tepër nxiti aludime për prejardhjen e këtyre parave. Mirëpo, së fundmi, ka ardhur edhe reagimi i protagonistit, Genar Topalli, djali i politikanes Jozafina Topalli, i cili u martua me moderatoren sportive Cindy Marina.
Përmes një reagimi publik, Genar Topalli, bën me dije se dasma është financuar nga vetë ai, bashkëshortja e tij Cindy Marina dhe prindërit e kësaj të fundit, të cilët jetojnë në SHBA prej 30 vitesh me biznese të suksesshme. Genari thekson se nuk është aspak i detyruar të japë shpjegime për jetën private, dhe se reagimi i tij është për transparencë, për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të shuar aludimet që qarkullojnë.
Megjithatë, reagimi i tij mund të jetë edhe një 'përgjigje' indirekte për ish-in e tij, Eva Murati, e cila në një koment në rrjete sociale pretendoi se ajo dasmë ishte totalisht e financuar nga paratë e vjedhura të popullit. Komenti i saj bëri lëmsh rrjetin, duke i vënë edhe një herë pikën kësaj dasme në të gjtha drejtimet, si ndër më të komentuarat.
Reagimi i plotë:
Të dashur miq, familjarë dhe të njohur,
Më 13 shtator 2025 përjetova ditën më të bukur të jetës sime: u kurorëzova me Cindy Marina.
Edhe pse nuk kemi asnjë detyrim të japim shpjegime për jetën private, dua ta bëj këtë reagim për transparencë. Ceremonia u zhvillua në Bazilikën e Shën Marisë, te Altari i Qiejve – një bekim i madh shpirtëror, për të cilin, siç dihet, nuk ka pagesë, por vetëm një donacion simbolik.
Më pas, darka u mbajt në një ambient në Romë, me kosto që nuk kalon shpenzimet e zakonshme të një dasme në Shqipëri (çdokush mund ta verifikojë lehtësisht me një kërkim të thjeshtë në Google). Gjithçka është menduar, organizuar dhe financuar prej meje dhe Cindy-t, me mbështetjen e prindërve të saj.
Ne jetojmë e punojmë në SHBA, ku drejtojmë së bashku biznesin tonë në fushën e transportit, ndërsa Cindy, përveç angazhimeve të tjera, menaxhon një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kaliforninë Jugore, në pronësi të familjes së saj.
Prindërit e Cindy-t jetojnë në SHBA prej afro 30 vitesh dhe sot kanë ndërtuar biznese të suksesshme në fushën e transportit dhe të sportit, me mbi 150 të punësuar.
Ky sqarim bëhet vetëm për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të hedhur poshtë komentet me shifra krejtësisht të pavërteta e spekulative.
Falënderoj me zemër të gjithë ju që na uruat në këtë ditë të shenjtë për familjen tonë.
Me respekt,
Genar Topalli
