Qytetërim

E akuzoi për ngacmim seksual/ Gjykata shpall fajtore Egla Cenon për shpifje ndaj Saimir Kodrës

Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtore Cenon, duke e gjobitur me 1 milion lekë të vjetra për shpifje ndaj gazetarit Kodra.

l.k
E akuzoi për ngacmim seksual/ Gjykata shpall fajtore Egla Cenon për
Egla Ceno dhe Saimir Kodra

TIRANË- Të gjithë e mbajnë mend deklaratën e aktores Egla Ceno gjatë një prej “prime”-ve të Big Brother VIP, ku ajo deklaroi se ishte ngacmuar seksualisht vite më parë nga gazetari Saimir Kodra. Por duket se drejtësia nuk i ka dhënë të drejtë ish-fitueses së BBVIP. Ditën e sotme, Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtore Cenon, duke e gjobitur me 1 milion lekë të vjetra për shpifje ndaj gazetarit Kodra.

Pas denoncimit të saj publik, Kodra reagoi menjëherë përmes emisionit “Stop”, ku u shpreh se deklarata e Cenos nuk ishte e vërtetë dhe se çështja do të përfundonte në gjykatë, dhe në fakt, ashtu ndodhi. E pyetur para togave të zeza, aktorja thuhet se ka dhënë versione kontradiktore, gjë që çoi në vendimin e Gjykatës për ta shpallur atë fajtore. Mësohet se fillimisht ajo deklaroi se kishte frikë të paraqitej në gjykatë. Më pas, në një tjetër deklarim para trupës gjykuese, u shpreh se nuk e kishte përmendur Saimir Kodrën me emër të plotë, por vetëm mbiemrin “Kodra”.

Por deklaratat kontradiktore nuk përfunduan me kaq. Në një seancë tjetër, ajo u shpreh se deklarata ishte bërë në kuadër të një kauze simbolike për gratë që ngacmohen seksualisht në vendin e punës dhe se nuk kishte lidhje personale me Saimir Kodrën.

Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, aktorja Egla Ceno është shpallur fajtore për akuzën e shpifjes dhe është dënuar me 1 milion lekë të vjetra gjobë, pasi deklaratat e saj publike kanë cënuar reputacionin e gazetarit Saimir Kodra dhe i kanë shkaktuar këtij të fundit dëm të padrejtë.

Deri më tani, nuk ka asnjë reagim nga aktorja lidhur me këtë vendim./ZËRI

Poll

MOS HUMB