
FRANCË- Performanca e këngëtares së njohur Celine Dion në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024 ka nxitur diskutime të shumta, pas pretendimeve se ishte e regjistruar paraprakisht. Sipas gazetës franceze Libération, këngëtarja interpretoi këngën ikonike të Edith Piaf, “L’Hymne à l’amour”, por ekspertë të industrisë muzikore pretendojnë se performanca nuk ishte live, siç u pretendua.
Gazeta citon muzikantë dhe inxhinierë të zërit që besojnë se performanca ishte korrigjuar dhe regjistruar më parë. Një prej tyre tha se "ishte 100% e regjistruar paraprakisht", ndërsa prova dhe performanca tingëllonin identike, gjë që sipas ekspertëve është e pamundur për një performancë live.
Sipas mediave vendase, pavarësisht këtyre akuzave, organizatorët e Lojërave Olimpike kanë refuzuar të komentojnë, duke këmbëngulur më herët se performanca ishte e drejtpërdrejtë. Kjo ceremoni shënoi rikthimin e Dion pas një periudhe të gjatë për shkak të problemeve shëndetësore. Në rrjetet sociale, Dion u shpreh e nderuar për pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes dhe i inkurajoi sportistët për përkushtimin dhe sakrificën e tyre.
Performanca e Dion u reklamua si një moment i rëndësishëm, duke prekur miliona njerëz në të gjithë botën, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, i cili e quajti atë "kulmi emocional" i ceremonisë./ ZËRI