KANË- Një incident i rëndë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe botës së spektaklit, pasi Miss Venezuela 2025, Andrea del Val, ka publikuar një video nga një hotel në Kanë, ku ajo pretendon se është dhunuar nga stilisti i njohur Giovanni Laguna.
Në pamjet e publikuara nga vetë modelja 29-vjeçare, ajo shfaqet me fytyrë të mbuluar me gjak, ndërsa filmon me telefon gjendjen brenda dhomës së hotelit. Ambienti duket i shkatërruar, me sende dhe mobilie të përmbysura e të shpërndara në dysheme, duke krijuar një skenë kaotike.
Në të njëjtin video shfaqet edhe stilisti venezuelian Giovanni Laguna, i ulur brenda dhomës, ndërsa Andrea dëgjohet duke e akuzuar drejtpërdrejt: “Shikoni çfarë më bëri Giovanni Laguna… kjo ishte ajo që doja, që të tregosh kush je në të vërtetë”.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur në një hotel luksoz në Kanë, gjatë qëndrimit të tyre për evente të lidhura me industrinë e modës dhe Festivalin e Filmit. Dëshmitarë në hotel kanë deklaruar se janë degjuar zhurma, britma dhe goditje që vinin nga dhoma, duke njoftuar menjëherë autoritetet.
Pak minuta më vonë, policia franceze ka mbërritur në vendngjarje. Në disa pamje që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, Giovanni Laguna shihet duke u shoqëruar nga oficerët e policisë, ndërsa Andrea del Val po merrte ndihmë mjekësore për plagët e marra.
Giovanni Laguna njihet si një figurë e njohur në industrinë e modës në Amerikën Latine, me bashkëpunime të shumta në konkurse bukurie dhe, që prej vitit 2023, mban postin e drejtorit kreativ të Miss Universe Colombia./ZËRI