ITALI- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, do të nxjerrë në shitje një pjesë të mirë të dhuratave që ajo ka marrë gjatë mbajtjes së detyrës së saj. Artikuj me vlerë më shumë se 300 euro janë përzgjedhur sepse, me ligj, kryeministrja nuk mund t'i mbajë për vete. Vlerësimi total është afërsisht 800,000 euro, raportojnë mediat italiane.
Lista e dhuratave që do t'i shiten ofertuesit më të lartë nga shtëpia romake e ankandeve, Bertolami Fine Art, e vendosur në Palazzo Caetani Lovatelli në Romë, nuk është publikuar ende. Por për të krijuar një ide mbi vlerën e objekteve, thjesht shikoni listën e dhënë pas një pyetjeje parlamentare nga deputeti i Italia Viva, Francesco Bonifazi. Numri i dhuratave është mbi 270 dhe aktualisht ato mbahen në një dhomë në Palazzo Chigi.
Dhurata e parë - nga Presidenti Indian Narendra Modi - daton që nga G20 në Bali në nëntor 2022: veshja tradicionale e grave të Keralës. Melon ika marrë gjithashtu një statujë të Javier Milei, me një sharrë elektrike në dorë, një dhuratë nga presidenti argjentinas teksa vizitoi Romën. Në listën e dhuratave është dhe një thes me oriz nga Pakistani, si dhe rreth pesëmbëdhjetë qilima të marrë gjatë udhëtimeve në Libi dhe vende të tjera arabe. Por kjo nuk është e gjitha. Gjithashtu ia vlen të merren në konsideratë dy byzylykë metalikë, katër piktura, një pllakë metalike, një gjerdan, një unazë dhe vathë.

Gjithashtu, ka këpucë pitoni blu nga një stilist saudit, vazo, bizhuteri dhe kuti bizhuterish, një tavolinë shkrimi në një valixhe të kuqe. Dhe gjithashtu shalli i dhuruar në Abu Dhabi nga kryeministri shqiptar Edi Rama për ditëlindjen e 48-të të kryeministres, një set çaji prej porcelani që ia dhuroi kryeministri hungarez Viktor Orban dhe një tas qeramike që ia dhuroi ish-presidenti i SHBA-së Joe Biden.