Politikë

Himara çel sezonin turistik, Tavo ndan detaje: Aktivitete, koncert dhe çmime

Tavo ka ndarë detaje nga programi hapës i sezonit, duke u shprehur se pika kulminante e këtyre aktiviteteve do të jetë performanca në orët e vona të mbrëmjes nga një kompani franceze

Redaksia Zëri
Himara çel sezonin turistik, Tavo ndan detaje: Aktivitete, koncert dhe
Vangjel Tavo

HIMARA-Kanë filluar përgatitjet për hapjen e sezonit veror në Himarë. Hapja do të zhvillohet në datat 2 dhe 3 maj me aktivitete sportive, ujore, ekspozita, numra akrobatikë, konkurse, spektakël fishekzjarresh dhe gatime tradicionale të zonës. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo ka ndarë detaje nga programi hapës i sezonit, duke u shprehur se pika kulminante e këtyre aktiviteteve do të jetë performanca në orët e vona të mbrëmjes nga një kompani franceze, e cila operon në fushën e paradave dhe festivaleve me fishekzjarre.

Vangjel Tavo: Siç e shikoni, kanë filluar punimet nga Bashkia e Himarës për hapjen e sezonit turistik, i cili do të fillojë më 2 dhe 3 maj. Do të jetë një aktivitet pothuajse gjatë gjithë ditës më datat 2 dhe 3. Do të ketë aktivitete sportive dhe të tjera argëtuese. Aktiviteti do të mbyllet në mbrëmje më datën 2, me këngëtaren e njohur vlonjate, Aurela Gaçe dhe bandën e saj. Vazhdojnë sërish aktivitetet më 3 maj, me programe të larmishme nga vendi dhe nga vendet fqinje. Do të performojnë këtu në Potam, në Himarë, dhe aktiviteti do të përmbyllet në darkë me këngëtarin e famshëm nga Greqia, Kristos Mastras. Duhet theksuar se të ardhurat do të shkojnë për një qëllim filantropik – një pjesë për spitalin e pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë dhe pjesa tjetër për një fondacion në Dropull të Gjirokastrës. Pika kulminante e këtyre aktiviteteve do të jetë performanca në orët e vona të mbrëmjes nga një kompani franceze, e cila operon në fushën e paradave dhe festivaleve me fishekzjarre. Kjo kompani ka performuar në festivale të njohura si në Kanë dhe Dubai, dhe është hera e parë që vjen në Shqipëri. Pra, mund të themi me bindje se Himara do të jetë në qendër të vëmendjes për 48 orë më 2 dhe 3 maj. Po bëhen përgatitje, pa dyshim, jo vetëm për çeljen, por për gjithë sezonin turistik. Vjet kemi pasur një sezon të suksesshëm – rreth 350 mijë turistë kanë vizituar Bashkinë e Himarës. Ia kemi dalë ta përmbushim premtimin tonë, kur kemi thënë se Himara do të jetë e vizitueshme gjatë gjithë 12 muajve të vitit, jo vetëm në sezonin turistik. Mund t’ju them se tani jemi në muajin prill dhe siç e keni parë, në Himarë ka një numër të konsiderueshëm turistësh vendas dhe të huaj. Jemi në rrugën e duhur për ta përmbushur misionin dhe premtimin për ta kthyer Himarën në një destinacion turistik të hapur gjatë gjithë vitit. Po punojmë për të bërë investime në infrastrukturën rurale, në mënyrë që qendrat e ndryshme atraktive të jenë më të aksesueshme. Jemi në një fazë që synojmë të përmbyllim para sezonit turistik çdo objektiv që i kemi vënë vetes. Mund të them se viti i kaluar ishte i suksesshëm falë punës së Bashkisë Himarë, Ministrisë së Turizmit, por edhe Policisë. Edhe këtë vit do të vijojë i njëjti bashkëpunim për të pasur një numër më të madh turistësh. Himara është përfshirë shpesh në revista ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar si "xhevahirin e Mesdheut". Ne po përpiqemi ta mbajmë këtë nivel, duke ofruar turizëm cilësor dhe me çmime konkurruese në krahasim me vendet e tjera.

Poll

MOS HUMB