TIRANË- Naun Shundi, regjisor, dramaturg, aktor i shumë roleve në film e tetër, Naun Shundi do të përcillet sot në banesën e fundit. Homazhet për aktorin e njohur do të mbahen nga ora 10:30-12:00 te Teatri Kombëtar (ArTurbina). Familjarë, miq dhe figura të artit morën pjesë në homazhe.
E pikëlluar dhe me lot në sy, vajza e aktorit u shpreh për mediat se ai iku nga kjo botë pa u thënë asnjë fjalë.
"Edhe pse iku la diçka, dhe ajo që la është ‘Zonja e Bujtinës’, la jetën për atë teatër. Mjekët nuk na e thanë dot që babi do të vdiste, askush nuk na e tha. Ai mendoi se do të jetonte. Iku pa na thënë asnjë fjalë. Babain e hëngri kanceri nga brenda. Babi po përgatitej për një shfaqje po nuk e përfundoi”, tha vajza e tij.
Aktori i njohur, Bujar Asqeriu, mori pjesë në homazhe në nder të Shundit. Asqeriu e cilësoi si një figurë universale në artin shqiptar dhe një njeri modest. Duke vlerësuar rrugën e tij artistike, Asqeriu theksoi se duhet ndjekur kryesisht nga të rinjtë.
“Sot është një dhimbje dhe trishtim i madh për të gjithë publikun shqiptar që e ndoqi me duartrokitje artin e tij. Nauni jo vetëm si artist universal, regjisor, aktor, dramaturg, por edhe si burrë fisnik që ishte ka lënë mbresa tek ne. Ishte nga këta artistët e mëdhenj, kokë ulur dhe modeste, që asnjëherë nuk i ra gjoksit që “jam unë”, por vepra e tij, puna dhe talenti i tij vlerësoheshin gjithandej. Rruga e tij artistike është një rrugë që duhet ndjekur, sidomos nga të rinjtë, sepse ai la mesazhe paqe, dashuria dhe artistike në komunitetin artistik. I paharruar emri dhe puna e artistit të madh shqiptar Naun Shundi”, tha për gazetarët Asqeriu.
Aktori i njohur Bujar Kapexhiu gjatë homazheve për Naun Shundin tha për mediat se ai ishte një njeri i rrallë dhe i mrekullueshëm, teksa nga ana tjetër vlerësoi punën dhe dashurinë e tij për teatrin.
“Naun Shundi një aktor i shkëlqyer i skenës dhe ekranit shqiptar. Një njeri i mrekullueshëm dhe një shok i rrallë. Gjithë jetën ia kushtoi teatrit dhe arriti suksese jo vetëm si aktor, por edhe si dramaturg. Pasioni i tij për teatrin bëri që te ndërtonte vet një teatër. U bë shkaku për t’u rritur filizat e rinj të artit shqiptar. Iku nga kjo jetë shumë shpejt, por ka lënë gjëra që do të jenë një shkollë në artin e teatrit dhe kinematografisë. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij”, tha Bujar Kapexhiu.
Aktori u nda nga nga jeta më 28 gusht në moshën 66-vjeçare, pasi nuk arriti të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë nga e cila vuante prej pak kohësh. Sëmundja e detyroi që të linte punën në teatrin "Zonja e Bujtinës", i themeluar nga vetë ai, ndërsa dërgua në një spital të Francës për mjekim të specializuar. Më 22 gusht, u nis nga Franca për në Shqipëri për të marr trajtimin në QSUT për shkak të sëmundjes së rëndë nga e cila vuante.
Kush ishte Naun Shundi
Naund Shundi kishte një karrierë më shumë se 46 vite në Teatrin Kombëtar shqiptar, regjisor, dramaturg, aktor i më shumë se 100 roleve në Teatër dhe 20 në film. Gjithashtu, Profesor dhe krijues i Teatrit të parë privat në Shqipëri, “Zonja e Bujtinës”. Aktualisht aktor në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.
Disa nga rolet:
1983 – “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha, Dhimitër Pecani)
1989 – Linke – “Kryqi i Bardhë “ (Breht, Kumbaro)
1990 – Çezari – “Natë me hënë” (Budina)
1991 – Luixhi – “Zgjimi” (Marko, Budina)
1991 – Ezopi – “Ezopi” (Figereida, Pecani)
1992 – Aldo – “Kush vjedh një këmbë, ka fat në dashuri” (Fo, Kutali)
1992 – Shtefan – “Loja e Pushimeve” (Sebastian, Kutali)
1993 – Fando – “Fando e Lis” (Arrabal, Qiriaqi
1993 – Urani – “Zoti godet me putër” (Bezhani, Kame – Teatri Bylis-Fier)
1994 – Martin – “Këngëtarja tullace” (Jonesko, Qiriaqi)
1995 – Bepe, Damian – “Oportunesku” (Mushatesku, Manolesku)
1995 – Skulptori – “Tiranozauri” (Trebeshina, Kame)
1996 – Aktori – “Në katin e dytë është parajsa” (Bezhani)
1998 – “Kopshti me dallendyshe” (Babis Cilkiropulos, Kiço Londo – Teatri Kombëtar)
1999 – Doktori Arshambo – “Darka e të marrëve” (Kame)
“Frike dhe mjerim në rajhun e tretë” (Breht)
“Si e mposhta Musolinin” (Haqif Mulliqi)
“Jo të gjithë hajdutët vijnë për të vjedhur” (Breht, Publimedia)
“Shtrigat e Salemit” (Spiro Duni, Teatri Kombëtar)
2006 – “Drejt perendimit”
2007 – “Kontrata” (Mrozhek)
2008 – “Fishkëllime në errësirë” (Spiro Duni)
Film i Fatmir Koçi-t, “Berberi”
“Darka e gabuar” (Fatos Haxhiraj)
“Zoopark” (Milto Kutali)
“Mysafiri i mallkuar” (Ilir Bezhani)
2010 –“Një tablo absurde” (Hysi, Milto Kutali)
2012 “Ëndrra e Ismail Qemalit” në rolin e Faik Konicës (Spiro Duni, Teatri Kombëtar)
2012 – “Henry IV (Globe to Globe, ëorld Shakespeare Festival 2012)
2014 – “Liri në Bremen” (Fassbinder – Teatri Kombëtar)
2016 – “Tri Motrat“ (Teatri Kombëtar)/ZËRI