ITALI- Diellia, ministrja jonë nga AI, ka “pushtuar” mediat në mbarë botën. Disa e kanë cilësuar si një risi në teknologji, ndërsa të tjerë kanë vënë në pikëpyetje rolin e saj në kabinetin qeveritar.
Një nga revistat e njohura italiane, L’Espresso, ka zgjedhur ta komentojë Diellën në kopertinën e saj. Artikulli me titull:"Të qeverisesh nga Inteligjenca Artificiale" e përshkruan ministren AI si dikë që duket miqësore me veshjen tradicionale shqiptare, por sipas tyre, nuk është aspak e tillë.
L’Espresso e zgjat komentin e saj duke shkruar se krijesa AI e qeverisë shqiptare kalon një vijë të kuqe të rrezikshme mes realitetit dhe inteligjencës artificiale. Gjithashtu, shkruhet se pas një ministreje të tillë qëndron një figurë e fuqishme me me interesat e veta.
"E veshur me një kostum tradicional dhe një mbulese të bardhë koke përpiqet me të gjitha forcat të duket miqësore dhe e padëmshme, por nuk është aspak e tillë. Diella, ministrja virtuale kundër korrupsionit e krijuar nga qeveria shqiptare, kalon një vijë të kuqe të rrezikshme midis realitetit dhe inteligjencës artificiale.
Dy hetime nga Marco Montemagno dhe Alessandro Longo shpjegojnë rreziqet e të qenit "i qeverisur nga IA", ndërsa Diletta Huyskes shpjegon se pas çdo Diella qëndron një figurë e fuqishme me interesat e veta. Marco Camisani Calzolari na kujton se ne mbështetemi në një sistem që nuk mendon, nuk ekziston në të vërtetë, por vetëm di të imitojë. Dhe kryeredaktori Emilio Carelli paralajmëron në editorialin e tij: delegimi i vendimeve te një algoritëm është dorëzimi i politikës.", shkruhet në revistë.
Kryeministri Edi Rama, më 20 shtator, gjatë prezantimit të ministres së re të Shëndetësisë, Evis Sala, u ndal te Diella, duke theksuar se e gjithë bota po komenton për të dhe se çdo ditë merr 3 deri në 4 ftesa nga mediat e huaja për të folur rreth “ministres robot”. Teksa u dekretua nga Presidenti për mandatin e katërt si Kryeministër, Edi Rama do të jetë edhe përgjegjës për funksionimin e Diellës./ZËRI