KOSOVA-Kosova e nisi fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 me vetëm një fitore në historinë e saj në ndeshjet e Botërorit dhe me disfatë të rëndë ndaj Zvicrës në shtator. Por brenda pak javësh, skuadra e Franco Fodës përmbysi gjithçka: tri fitore, dy barazime dhe një ngritje mbresëlënëse që e dërgoi në play off, vetëm dhjetë vjet pas pranimit në FIFA.
Me 11 pikë të grumbulluara në Grupin B, Kosova u pozicionua e dyta, ndërsa Zvicra doli direkt në Botëror.
Pas humbjes në Bazel, Foda ndryshoi skemën nga 4-3-3 në 4-4-2, duke u fokusuar te disiplinë mbrojtëse dhe kundërsulme. Kjo solli fitore të rëndësishme ndaj Suedisë e Sllovenisë. Roli kyç i mesfushorëve të rinj, si Rexhbeçaj, Avdullahu dhe Hoxha, si edhe rritja e mbrojtjes me Gallapenin e Hajdarin, e stabilizuan ekipin.Kosova sfidon Sllovakinë në Bratislavë më 26 mars, në gjysmëfinalen e play off-it. Nëse fiton, finalja do të luhet në Prishtinë më 31 mars kundër Turqisë ose Rumanisë./ZËRI