
SPANJË- Rafael Nadal, 22 herë kampioni i Grand Slam-it, do të tërhiqet nga tenisi. 38-vjeçari e lajmëroi vetë se do të bëjë paraqitjen e tij të fundit për Spanjën në finalet e Kupës Davis të nëntorit në Malaga. Lajmin e dha me anë të një videomesazhi që e shpërndau për dashamirët e sportit të tij.
“Jam këtu për t’ju njoftuar se po tërhiqem nga tenisi profesionist. Realiteti është se kanë qenë vite të vështira, veçanërisht dy të fundit. Unë nuk mendoj se kam qenë në gjendje të luaj pa kufizime,"-tha në fjalën e tij Nadal.
Nadal, i cili do të luajë për herë të fundit në Kupën e Davis, eveniment që konsiderohet si 'Kupa e Botës' e tenisit për meshkuj, do të tërhiqet pas turneut. Tenisti spanjoll fitoi 22 herë Grand Slam-in, 14 prej të cilave në Roland Garros dhe theu një rekord në këtë fushë. Në total, Nadal fitoi 90 tituj teke dhe humbi 37 ndeshje finale.
Në karrierën e tij, Nadal ka fituar 14 Roland Garros, katër US Open, dy Wimbledon dhe të njëjtin numër Australian Open.
Me një raketë nga 4 vjeç...
"Rafa" filloi të luante tenis në moshën katër vjeçare, me nxitjen e xhaxhait të tij, Toni Nadal, i cili mbeti trajneri i tij deri në vitin 2017. Në vitet e para, ai luante tenis me dorën e majtë – edhe pse shkruante me të djathtën. Në moshën 12-vjeçare, xhaxhai i tij e inkurajoi atë të adoptonte një stil më konvencional të tenisit me dorën e majtë.
Rafa Nadal, i cili zyrtarisht u bë profesionist në vitin 2001, ishte paraqitur vetëm në një turne Grand Slam për të rinj kur arriti në gjysmëfinale në Wimbledon në 2002. Ai filloi karrierën e tij profesionale vitin 2003, duke u futur në listën e 50 tenisistëve më të mirë në botë. Në vitin 2005, ai vendosi një rekord për një lojtar adoleshent me 11 fitore në turne, duke përfshirë një triumf në debutimin e tij në Roland Garros, duke e eliminuar Federerin në gjysmëfinale.
Por vitet e fundit, Nadal kishte pësuar lëndime të vazhdueshme. Ai garoi për herë të fundit në Lojërat Olimpike të Parisit ku humbi nga Novak Gjokovic në raundin e dytë, përpara se të tërhiqej nga turnetë pasues për shkak të shqetësimeve të shëndetit./ZËRI