
TIRANË- 7 ditë para ndeshjes kualifikuese midis Shqipërisë dhe Serbisë në Tiranë, FIFA i lejoi ekipit të Shqipërisë që të ketë një stadium të mbushur plot me tifozë. “Orlovët” nuk do të kenë mbështetjen e tifozëve për shkak të një dënimi që ka marrë Federata e Serbisë. Ky vendim i marrë nga FIFA, ka shkaktuar shumë shqetësim tek mediat serbe, të cilat kanë nisur me akuzat. Sipas tyre, në stadium do të jënë tifozët më radikalë të Shqipërisë.
Por duket se më shumë shqetësim dhe frikë kanë tifozët nga Kosova që do të marrin pjesë për të parë ndeshjen.
"Tani është e qartë se ferr i vërtetë e pret Serbinë në Tiranë dhe është e sigurt se fokusi nuk do të jetë vetëm te futbolli, por edhe te disa gjëra të tjera,"-shkruan në një artikull media serbe, "SportAlo!".
Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:45. Ndërsa ndeshja ndaj Letonisë do të luhet më 10 qershor, në stadiumin “Skonto Stadions”, po në orën 20:45./ZËRI