TIRANË- Florjan Binaj është kandidati që do të mbështetet nga Partia Demokratike për Bashkinë e Tiranës, një veprim ky që ka nxitur një sërë reagimesh për vendimmarrjen. Kjo do të jetë hera e parë që opozita garon me një personazh jashtë radhëve dhe strukturave të larta të partisë, për më tepër nga fusha e artit.
Në një reagim që ka bërë në rrjetet sociale, aktori Julian Deda, një anëtar prej vitesh i strukturave të Partisë Demokratike, shprehet se kur ai kishte propozuar që të ishte kandidat për Bashkinë në zgjedhjet e vitit 2023, ishte përballur me një funksionar të lartë të partisë që kishte deklaruar se ky post nuk do të ishte për gallatë. Megjithatë Deda i uron suksese mikut të tij, Binaj, për të cilin kërkon mbështetje reale nga Partia Demokratike, për të mos djegur figurën e tij.
“Thyerje tabush ne PD, e cila ka vendosur te mbeshtese nje aktor humori ne garen per bashkine e Tiranes. Sot po behet fakt, diçka qe para dy vitesh (ne primaret e 2023) ishte e tmerrshme te ndodhte, pikerisht kandidimi i nje aktori humori per kryetar bashkie. Mbaj mend, kur kandidova ne primare, nje funksionar i larte, adult dhe injorant aty, me tha: "nuk do shkojme ne bashki per gallate". Ndersa sot, ky mentalitet ka ndryshuar, progres i madh, komplimente PD-se.
Florit i uroj me gjithe zemer suksese ne kete gare, shpresoj qe mbeshtetja nga PD dhe opozites te jete e vertete dhe jo "m'ka çu halla me la gojen", qe te mos perfundoje e djegur edhe nje figure tjeter e mire, si shume te tjera”, shkruan Deda në postimin e tij në rrjetet sociale.
Zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë do të mbahen në datën 9 Nëntor, pas shkarkimit të Erion Veliajt me vendim të kryeministrit Edi Rama. Tashmë në garë për Tiranën janë Ogerta Manastirliu nga PS, Florjan Binaj si kandidat i pavarur, por i mbështetur nga partitë opozitare, Arlind Qorri nga Lëvizja Bashkë, dhe Marko Dajti nga Fronti i Majtë. Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës do të mbahen vetëm për kryetarin e bashkisë dhe jo për këshillin, ndërsa mandati i fituesit do të jetë më pak se dy vite, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2027./ZËRI