TIRANË- Marius Dervishi, i njohur për publikun si Zebërvoki, ka marrë vendimin e papritur për t'u larguar nga Policia e Shtetit. Lajmin e ka bërë me dije vetë Zebërvoki, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke bërë me dije se do t'i japë fund karrierës në Policinë e Shtetit dhe dorëheqjen do ta dorëzojë në ditët në vijim.
Zebervoki shprehet kritik ndaj perceptimit për punën e policisë, duke theksuar se vendimi i tij vjen si pasojë e pakënaqësisë dhe klimës së krijuar ndaj efektivëve.
Në reagim, ai shprehet se shpesh efektivët shpesh trajtohen si përgjegjës për çdo situatë dhe policia është etiketuar në mënyrë të përgjithshme si "riminale" apo "dhunuese". Në fund, Dervishi thekson se pikërisht nga "mllefi" dhe "urrejtja" që ekziston në publik për uniformat blu, do të braktisë pasionin e tij.
Reagimi i plotë:
Ne jemi 'POLICIA QË NUK DUAM', dhe për këtë arsye, nga e hëna unë dorëzoj kërkesën për dorëheqje nga puna.
Jo sepse janë policët e këqinj, jo se nuk e dua më punën time, por thjesht sepse nuk dua të jap më asnjë lloj kontributi për asgjë.
Policat gjithmonë kriminalë, policat gjithmonë dhunues, policat patronazhistë – çfarëdo epiteti që na keni vendosur.
Media kundër, populli kundër, e në fakt ne që jemi viktima po na nxirrni si autorë.
Unë nuk e kapërdij dot këtë lloj fushate ku në çdo gjë fajin e ka POLICIA.
Unë shpirtin e drejtë nuk ia kam shitur dhe, përtej çdo të mire tjetër që më ka mundësuar Zoti, prapë zgjedh të jem efektiv i një policie, por ama këtë pasion po e 'braktis', i nxitur nga mllefi dhe urrejtja që keni ju si popull për policat dhe nga përgjithësimi që bëni duke i konsideruar të gjithë policat njësoj.
Po mos harroni një gjë:
'Çka nuk e sheh syri i kamerës, e sheh Zoti lart.'
Vendimi i Zebërvokit vjen vetëm një ditë pas protestave të regjistruara në vend, ku u shënuan përplasje pranë zonës së Parlamentit. Gjatë këtyre incidenteve u raportuan episode të ndryshme tensioni dhe përplasjeje, si ndaj efektivëve të policisë, ashtu edhe ndaj qytetarëve të pranishëm.
Ngjarjet e djeshme kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ku një pjesë e qytetarëve dhe komentuesve në rrjetet sociale kanë kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës nga ana e Policisë së Shtetit gjatë protestës.