TIRANË-Ish-banori i Big Brother Vip Kosova, Eduard Kuçi raportohet se është shpallur në kërkim nga Policia, pas konfliktit të dhunshëm me këngëtarin Jozefin Marku. ZËRI vuri në pah dhe ngriti shqetësimin për mungesën e reagimit institucional ndaj pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, imazhe të cilat sollën arrestimin e këngëtarit Jozefin Marku dhe shokut të tij Kristjan Nikolli.
Por edhe i dhunuari Edi Kuçi nuk ka 'shpëtuar' nga autoritetet, të cilat e akuzojnë për moskallëzim krimi. 26-vjeçari ka deklaruar në Polici se sherri mes tyre kishte qenë një konflikt i thjeshtë për shkak të bllokimit të rrugës me makinë. Detajet e reja u bënë publike nga gazetarja Anila Hoxha. Deri më tani raportohet se Kuçi nuk ka bërë denoncim ndaj këngëtarit dhe se hetimi është i nisur nga ana e policisë pas videos së bërë virale. 26 vjeçari kërkohet që të japë sqarime për ngjarjen.
Jozefin Marku u arrestua për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”. Ndërkohë ndaj Kristjan Nikollit, përveç veprave penale që lidhen me dhunimin e Kuçit, është ngritur edhe akuza për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.
Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia gjeti municione, ndërsa është sekuestruar edhe një automjet tip “Land Rover”, që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

