
SPANJË- Ndonëse kishte një biletë të blerë për datën 6 prill, Luis Rubiales është kthyer sot në Spanjë, duke zbarkuar në aeroportin Barajas. Por sapo ka vendosur këmbën në tokën spanjolle iu vendosën prangat. Pas arrestimit, ai u dërgua në Gjykatë ku do japë deklaratën e tij në lidhje me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në kohën kur mbante postin e kreut të Federatës dhe dërgimin e finales së Kupës së Mbretit në Arabinë Saudite, në këmbim të tokës për ndërtimin e pallateve në vendin e Gjirit.
Sipas mediave të huaja, Rubiales po hetohet për korrupsion, pastrim paravesh dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Garda Civile pohon se ish-presidenti i RFEF (Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit) ka devijuar të paktën 3.8 milionë euro për kompaninë e ndërtimit "Gruconsa" dhe kompanisë që operon stadiumin "La Cartuja" në Sevilje midis viteve 2020 dhe 2022. Më pas, ai transferoi një pjesë të parave në një kompani të kontrolluar nga miku i tij i ngushtë, Francisco Javier Martín Alcaide, alias "Nene".
Luis Rubiales ka dhënë një intervistë për "La Sexta", e cila do të transmetohet këtë të mërkurë, në të cilën ai ka mohuar të ketë marrë ryshfet dhe ka thënë se paratë e tij janë produkt i punës dhe kursimeve të tij.
"Unë jam këtu për të thënë se e gjitha është një gënjeshtër e madhe. Deklaratat e bëra nga media dhe paratë që kam pasur në llogaritë e mia nuk kanë lidhje me pretendimet për ryshfet. Paratë në llogaritë e mia janë produkt i punës dhe kursimeve të mia."
Luis Rubiales, ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës (FFS), fillimisht shkaktoi bujë me puthjen që i dha mesfushores Jenni Hermoso gjatë ceremonisë së trofeut të Kupës së Botës për gratë.
Kush është ai?
Rubiales, 47 vjeç, ishte mbrojtës i disa klubeve të kategorisë së ulët të Spanjës dhe i klubit Hamilton Academical në Skoci deri në vitin 2009. Ai u bë president i Shoqatës së Futbollistëve Spanjoll (SHFS) një vit më vonë, para se të zgjidhej president i FFS-së më 2018. Ai u zotua se do ta modernizonte strukturën e saj, do t’i rriste të hyrat dhe do ta përmirësonte transparencën, pas një skandali të korrupsionit./ZËRI