
BOGOTA - Një grua është akuzuar për trafikim të kafshëve të egra, pasi policia kolumbiane gjeti 130 bretkosa helmuese në bagazhin e saj në aeroportin e Bogotas, të hënën.
Kafshët e zbuluara ishin të dehidratuara dhe të stresuara, thanë zyrtarët. Gruaja braziliane, e cila ishte nisur për në Sao Paulo nëpërmjet Panamasë, tha se bretkosat i ishin dhënë si dhuratë nga një komunitet lokal në Kolumbinë jugore.
Policia lokale tha se amfibët mund të vlejnë deri në 1000 dollarë (780 £) secili. Sekretarja e Mjedisit në Bogota, Adriana Soto tha se gjoba për posedimin e njërës prej këtyre bretkosave mund të arrijë në 56 milionë pesos (14,300 dollarë; 11,300 £). Bretkosat harlekin, të njohura gjithashtu si bretkosat me shigjetë helmuese (Oophaga histrionica), janë më pak se madhësia e gishtit të madh të njeriut.
Gjëndrat e tyre të lëkurës prodhojnë një helm shumë toksik, i cili në të kaluarën është përdorur nga njerëzit indigjenë për të veshur majat e shigjetave që përdornin për gjueti. Helmi është mjaft i fortë për të vrarë kafshë të vogla.

Bretkosat Harlequin janë një specie shumë e rrezikuar që mund të gjendet në pyjet e lagështa përgjatë bregut të Paqësorit, midis Ekuadorit dhe Kolumbisë dhe në vende të tjera në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Statusi i tyre ‘të rrezikuar’, i bën ata shumë të kërkuar nga koleksionistët privatë në tregjet ndërkombëtare, sipas policisë lokale.
Trafikimi i kafshëve të egra është i zakonshëm në Kolumbi dhe në të gjithë Amerikën Latine, një rajon i pasur me biodiversitet./ZËRI/