
RUSI- Mirlind Daku, futbollisti i Kombëtares Shqiptare të Futbollit është i vetmi deri më tani që është ndëshkuar gjatë Kampionatit Europian të Futbollit që po luhet në Gjermani, "Euro 2024". Ai u pezullua me 2 ndeshje për shkak të thirrjeve që bëri kundër serbëve dhe maqedonasve, ndëshkim që i kushtoi aktivizimin në ndeshjen me Spanjën.
Por edhe pse tashmë lojtari është me pushime, duket se 'telashet' për të nuk kanë mbaruar. Një grup tifozësh rus të quajtur Espanyola, të cilët janë nacionalistë dhe mbështesin luftën në Ukrainë, i kanë bërë thirrje Dakut që më mirë të mos kthehet në Rusi, duke kërcënuar 26 vjeçarin. Në një reagim të tyre në rrjetet sociale, “Espanyola” të cilët po luftojnë rreth Uglejdarit, në rajonin e Donbasit, mbi foton e Dakut ka vendosur objektivin e një snajperi, ndërsa i bëjnë thirrje që të mos kthehet më kurrë në Rusi.
“Siç e dini, lufta në Jugosllavi në vitin 1991 filloi me futbollin. Lufta moderne, e cila po zhvillohet në territorin e ish-Ukrainës si pjesë e Operacionit Special Ushtarak, ishte pa futboll, derisa Espanyola solli sportin tonë të preferuar në Donbass. Tani të gjitha ndeshjet më interesante zhvillohen pranë Chasovo Jaro. Edhe pse nuk ndjekim se çfarë po ndodh në EURO 24, na vijnë disa lajme. Dhjetëra lidhjet tona të yjeve në vijën e parë po funksionojnë siç duhet. Kështu u tronditëm shumë kur dëgjuam se një lojtar i Rubin Kazanit me origjinë shqiptare, që luan në ligën tonë, pati guximin të këndonte me megafon dhe të bënte thirrje për vrasjen e serbëve. Ai ka diçka kundër të gjithë vëllezërve tanë ballkanas...Espanyola i drejtohet Dakut. Ne do të jemi të prerë. Më mirë të mos kthehesh në Rusi! Asnjë falje nuk do të ndihmojë këtu. Është shume vonë. Mirupafshim!”, shkruhet në mesazhin për futbollistin shqiptar, publikuar në Telegram.
