
SPANJË- Lirimi i Dani Alves nga burgu është i afërt. Mbrojtja e tij ka depozituar milionat në euro që u kërkuan nga Gjykata e Barcelonës si kusht për lirimin e tij nga qelia. Braziliani do të largohet nga burgu i "Brians II" në orët e ardhshme dhe të dyja pasaportat - spanjolle dhe braziliane - do t'i hiqen si masë paraprake për të mos lejuar që ai të largohet nga Spanja.
Përveç kësaj, atij do t'i ndalohet afrimi apo komunikimi me viktimën, e po ashtu do të duhet të paraqitet çdo javë në gjykatë.
Gjykata e Barcelonës dënoi Dani Alves me katër vjet e gjysmë burg për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë në fund të vitit 2022. Pas gjyqit, avokati i lojtarit kërkoi sërish lirimin e tij të përkohshëm, ashtu siç kishte bërë disa herë. Megjithëse gjykata beson se ekziston një rrezik për largimin e tij nga Spanja, sërish e autorizoi lirimin e tij./ZËRI