
TORINO- Juventusi vazhdon humbjet dramatike në Serinë "A". Pas humbjes 0-4 ndaj Atalantës, bardhezinjtë u shkatërruan edhe në "Artemio Franki" duke u mposhtur me rezultatin 3-0 kundër Fiorentinës.
Pas ndeshjes, për Sky Sport foli edhe legjenda e Juventusit, Alesandro Del Pieroja. Ai shprehu shqetësimin e tij për mungesën e reagimit ndaj goditjeve të kundërshtarëve, duke theksuar se një mungesë e tillë e reagimit tregon një gjendje të ulët të angazhimit të skuadrës.
“Ajo që më ka rënë në sy – dhe që ndodhi edhe kundër Atalantës – është fakti se nuk pati reagim. Kur nuk ka reagim ndaj goditjeve të kundërshtarit, do të thotë se ekipi është në një gjendje shumë, shumë të ulët. Kjo nuk pasqyron aspak shpirtin e Juventusit: mund të fitosh ose të humbasësh, por gjithmonë me kokën lart. Mendoj se askush, qoftë lojtarët, trajneri apo drejtuesit, nuk mund të ndihen të qetë duke menduar se kanë dhënë gjithçka"
Del Pieroja mori shembullin e Fiorentinës se si ata i kaluan vështirësitë e brendshme dhe u mblodhën rreth trajnerit të tyre për të arritur te ndeshja e shkëlqyer ndaj Juventusit. Sipas tij, do të ishte e padrejtë ndaj Fiorentinës po të fokusoheshim vetëm te problemet juventine e jo te paraqitja e shkëlqyer e Fiorentinës. Ai u tregua tërthorazi kritik ndaj trajnerit Mota ndërsa shprehte publikisht habinë se si duke humbur 3-0 Juventusi aktivizonte 3 mbrojtës nga stoli./ZËRI