
PARIS - Gjyqtari i VAR, që ka qenë në qendër të debatit për penalltinë e dhënë në sfidën PSG-Newcastle është hequr nga Liga e Kampionëve, pasi autoritetet arritën në përfundimin se ai dhe arbitri kishin faj. UEFA beson se zyrtarët e ndeshjes kishin gabuar, përpara se Kylian Mbappe të barazonte nga pika e bardhë. Një gjyqtar tjetër do të marrë përsipër detyrat e Tomasz Kwiatkoëski për ndeshjen Real Sociedad -RB Salzburg.
Megjithatë, arbitri Szymon Marciniak nuk do të përballet me asnjë veprim ndëshkues, pasi ai tashmë duhet të mungojë në raundin tjetër të ndeshjeve, për shkak të Kupës së Botës për Klube. UEFA konfirmoi zëvendësimin e gjyqtarit të VAR, pa dhënë asnjë arsye. Vendimi i penalltisë në minutën e 96-të shkaktoi shqetësim në klubin anglez të Newcastle dhe TNT Sports. Ekspertët deklaruan se ky rast nuk do kishte asnjë mundësi të jepej dhe në kampionatin anglez.

Në prill, Bordi i Futbollit të UEFA-s mbajti mbledhjen e tij inauguruese në Nyon, Zvicër, dhe rekomandoi që UEFA duhet të sqarojë se penalltia nuk duhet dhënë, nëse topi është devijuar më parë nga trupi i lojtarit dhe, në veçanti, kur topi nuk shkon drejt portës. Kwiatkowski, një specialist i VAR nga Polonia, vlerësohet si një nga më të mirët në botë, por do të zëvendësohet nga një zyrtar gjerman për ndeshjen e ardhshme.
Barazimi e mbajti PSG-në dy pikë larg nga Newcastle në Grupin F. Newcastle tani duhet të fitojë ndeshjen e tyre në shtëpi kundër AC Milan më 13 dhjetor dhe të shpresojë që PSG të dështojë të fitojë në Dortmund./Zëri.ai/