TIRANË- Policia e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me dhunën e ndodhur pak përpara fillimit të ndeshjes Iliria – Skënderbeu, që ishte parashikuar të luhej dje në Fushë-Krujë.
Blutë e kryeqytetit sqarojnë se ngjarja ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, mes futbollisteve të Ilirisë dhe ekipit kundershtar të Skenderbeut, ku ka mbetur i dëmtuar futbollisti S. N.
Po ashtu, policia sqaron se nisi procedimi në gjendje të lirë për tre futbollistë të tjerë, A. S., B. S. dhe J. S.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë: referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. S., B. S. dhe J. S., të tre futbollistë, pasi dje, përpara fillimit të ndeshjes së futbollit “Iliria-Skënderbeu”, dyshohet se janë konfliktuar në dhomat e zhveshjes, me futbollistët e ekipit kundërshtar. Si pasojë është dëmtuar lehtë, futbollisti, shtetasi S. N”, sqaroi policia.
Federata e Futbollit njoftoi dje se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.
“Sipas informacioneve paraprake, në momentin e mbërritjes së ekipit të Skënderbeut në stadium, mësohet se ka pasur një incident mes lojtarëve dhe stafit të klubit Iliria, ku dyshohet se janë përfshirë edhe në konfrontime fizike.
Për shkak të këtyre rrethanave dhe problematikave të ngritura për sigurinë, është vendosur që ndeshja të mos luhet. Çështja do të shqyrtohet nga komisionet juridike të FSHF-së, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me këtë ndeshje”, njoftoi dje FSHF.
Klubi i Futbollit Skënderbeu reagoi nëpërmjet një postimi në Facebook duke shprehur shqetësimin se lojtarët e klubit dhe trajneri Gjoka janë dhunuar nga Klubi i Futbollit Iliria.
“Dhunohen futbollistët e KF Skënderbeu dhe trajneri Gjoka nga stafi dhe futbollistët e KF Iliria përpara sesa të futen në dhomat e zhveshjes.
Ky nuk është futboll. Në këto kushte nuk mund të luhet futboll. Në Korçë mikpritja është kult, ndaj të njëjtën gjë presim dhe ne nga ekipet kundërshtare”, shkruhej në postimin e klubit.
Ndërkohë që presidenti i Ilirias, nuk ka qenë në të njëjtën linjë, dhe sipas tij asnjë prej futbollistëve të Skënderbeut nuk është dhunuar.
Nazmi Selmani u shpreh në Euronews se ka ndërhyrë për të qetësuar futbollistët por skuadra korçare ka refuzuar të paraqitet në ndeshje.
Sipas Selmanit, arbitrat, delegatët dhe policia i kanë konfirmuar se ndeshja mund të luhej, ndërsa Skënderbeu ka zgjeruar një konflikt mes dy vetave “në gjashtë”.
“S’ka pasur asnjë lloj dhune. Dy futbollistë kanë debatuar, por jo më shumë. I prita vetë arbitrat, delegatët dhe drejtuesit e policisë; të gjithë thanë që ndeshja të zhvillohet. Nga Korça e bënë një incident të vogël një dramë të madhe. Sporti duhet të na bashkojë, jo të na ndajë. Është turp i madh që po e bëjnë këtë gjë. Nuk kam qenë aty në momentin e parë, por kur shkova thashë: nëse ka pasur debat mes futbollistëve për një keqkuptim, hajde merremi vesh. Disa thonë që Gjoka ka sharë dhe ndoshta ka pasur një përplasje mes futbollistëve, por jo kjo dramë që po e bën Skënderbeu. Nëse ne kemi gabuar, le të na përjashtojë Federata. Por dëshmitarët janë aty: kanë qenë dy futbollistë që kanë debatuar, dhe kaq. Skënderbeu vjen deri te porta me provokime; kjo është gabimi i tyre”, tha ai.
Presidenti shtoi se Iliria ka luajtur kudo pa u ankuar, edhe kur tifozët i kanë sulmuar, dhe se “për dy futbollistë që debatojnë nuk mund të krijohet një situatë e tillë”./ZËRI