
ANGLI- Real Madridi u kualifikua këtë të mërkurë në Manchester, në kurriz të City, duke zgjeruar legjendën e vet në Champions League. Pasi zhbllokuan rezultatin përmes Rodrygo, “Los Blancos” u rrethuan, fjalë për fjalë, nga lojtarët e Pep Guardiolës, duke e kthyer zonën e tyre në një “kështjellë” përfundimisht të pathyeshme për vendasit.
Shifrat konfirmojnë epërsinë dërrmuese të anglezëve në 120 minutat e ndeshjes. Një diferencë e tmerrshme, të cilën madrilenët mundën ta fshinin në raundin vendimtar të goditjeve nga pika e bardhë, i cili do t’iu jepte një biletë për në gjysmëfinalen e kompeticionit më elitar continental të klubeve. Këto janë shifrat e “rrethimit” të kampionëve ende në fuqi të Europës ndaj Real Madridit, që bëri heroizma për të arritur atë që dukej e pamundur.
Manchester City, kontroll dyfish të topit
Një lojë më dominuese pritej nga City, i cili tashmë i kishte tejkaluar të bardhët në zotërimin e topit qysh çerekfinalen e parë: 40% për “Los Blancos” dhe 60% për anglezët. Shifra që dështuan në “Etihad”, ku vendasit arritën 67.2% të posedimit të topit, përkundrejt 32.8% të merenguesve.
Katër herë më shumë se Real Madridi
Real Madridi goditi i pari dhe e ndëshkoi ekipin vendas. Goli i Rodrygo ishte përfundimisht vendimtar për fatin e barazimit, pa të nuk do të kishte as kohë shtesë. “Makineria” sulmuese e City realizoi deri në 33 goditje në total drejt portës kundërshtare, katër herë më shumë se tentativat e skuadrës së Carlo Ancelottit. Nga 33 goditje në total, 9 prej tyre ishin në portë, ndërsa goli i Rodrygo e çoi në tre numrin e goditjeve në portën e Ederson nga 8 të tilla në total.
Manchester City “pushtoi” zonën e bardhë
Skuadra angleze bëri deri në 88 ndërhyrje në zonën e Real Madridit. Pothuajse 7 herë më shumë se sa kreu skuadra e bardhë në zonën e Ederson. Kishte vetëm 12 ndërhyrje të merenguesve në atë zonë. Të besuarit e Ancelottit jetuan jashtë kundërsulmit, kështu që qëndrimi i tyre në zonën kundërshtare ishte pothuajse anekdotik. Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, siguroi se ndaj Real Madridit dhanë gjithçka, por nuk mjaftoi.
Më shumë se dyfishi i numrit të pasimeve
Ndonëse tashmë dihet se ky faktor nuk i siguron gjithmonë rezultate të mira skuadrës që e dominon, e bën të qartë se kontrolli i ndeshjes i takonte Manchester City. Të besuarit e Pep Guardiolas bënë deri në 919 pasime, pothuajse saktësisht dyfishi i 458 pasimeve të madrilenëve. Pasimet e sakta flisnin gjithashtu për vendasit: 92.1% përkundrejt 81.4%.
Gjysma e pasimeve, në zonën e “nxehtë”
Nga ato 919 pasime në total, gjysma e tyre, 459, u kryen nga City në një të tretën e fundit të fushës, domethënë në zonën më të afërt me portën e Lunin. Në këtë pjesë të fushës, saktësia e “qytetarëve” ishte 89.3%. Real Madridi bëri vetëm 56 pasime në një të tretën e fundit të fushës, me një saktësi të diskutueshme prej 62.5%.
Katër herë më shumë krosime brenda zones
Lojtarët vendas adresuan deri në 31 topa brenda zonës së Real Madridit në kërkim të finalizuesve, veçanërisht te Erling Haaland, duke “shumëzuar” me katër krosimet e provuara nga Real Madridi (8).
Dominim edhe në goditjet nga këndi
18 goditje nga këndi në një ndeshje të vetme tregojnë qartë se cila skuadër e dominoi çerekfinalen e kthimit në “Etihad”. Kaq këndore ekzekutoi Manchester City. Real Madridi nuk e hapi këtë “llogari” deri në minutën e 105-të dhe aty mbeti, për ta lënë rezultatin përfundimtar të goditjeve nga këndi 18-1./telesport